Kosova

Kelmendi: Taksa 100 për qind nuk duhet të hiqet

Kryetari i Partisë, Fjala, Gëzim Kelmendi, ka dalë kundër kryeministrit Albin Kurti e pro ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, sa i përket taksës ndaj produkteve serbe.

Ai thotë se vendosja e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë ka qenë ndër vendimet më të duhura dhe më të fuqishme ndaj fushatës agresive të Serbisë që ka zhvilluar kundër shtetit të Kosovës, andaj nuk duhet të hiqet.

Ai thotë se e kupton presionin ndërkombëtar në drejtim të qeverisë Kurti, por sipas tij jo çdoherë Kosova duhet të nënshtrohet përballë presionit ndërkombëtar.

Postimi i tij:

Taksa 100% nuk duhet të hiqet!

Vendosja e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë ka qenë ndër vendimet më të duhura dhe më të fuqishme ndaj fushatës agresive të Serbisë që ka zhvilluar kundër shtetit të Kosovës.

Me këtë vendim Kosova ka treguar fuqinë dhe vendosmërinë e shtetit.

Por, këto ditë kryeministri Kurti ka formuar një ekip që do të punojë për heqjen e taksës.

Këtë vendim e ka arsyetuar me reciprocitet. Por për çfarë reciprociteti bëhet fjalë?

Nga reciprociteti i përfolur nga kryeministri, do të përfitoi më së shumti Serbia e cila eksporton në Kosovë rreth 500 milion euro mallra të ndryshme.

Unë e kuptoj presionin ndërkombëtar në drejtim të qeverisë Kurti.

Por jo çdoherë Kosova duhet të nështrohet përballë presionit ndërkombëtar.

Bashkësia ndërkombëtare e ka “pre në besë” Kosovën disa herë.

Rasti fundit është ai i demarkacionit me Malin e Zi, ku ndërkombëtarër kërkuan dhe insistuan që Kosova ta ratifikoi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi si këmbim për liberalizimin e vizave.

Kosova e dëgjoi bashkësinë ndërkombëtare, ia fali 8 mijë hektarë Malit të Zi, por liberalizimi i vizave nuk ndodhi. Bashkësia ndërkombëtare e “preu në besë” shtetin e Kosovës.

Tani përsëri bashkësia ndërkombëtare po kërkon kompromis nga Kosova.

Po kërkon heqjen e taksës 100% për produktet e Serbisë.

Unë mendoj që bashkësia ndërkombëtare nuk po sillet drejtë me Kosovën.

Bashkësia ndërkombëtare duhet ta trajtoi Kosovën si shtet dhe jo si ” koloni”.

Duhet të zbatoi në tërësi reciprocitetin, duhet Kosovës t’ia heqë vizat sikur Serbisë, ta trajtoi Kosovën njejtë sikur Serbinë.

Vetëm kur Kosova dhe Serbia trajtohen në mënyrë të barabartë, atëherë mund të kemi reciprocitet.

Kryeministri Kurti nuk duhet ta heqë taksën 100% pa u respektuar parimi i barazisë dhe reciprocitetit.

Parimi i barazisë dhe reciprocitetit është që Kosova dhe Serbia të trajtohen në mënyrë të barabartë.

A e kemi sot këtë situatë të barazisë dhe reciprocitetit?

A lëvizin sot qytetarët e Kosovës pa viza në BE sikur qytetarët e Serbisë?

A janë kthyer në Kosovë mbi 1500 të zhdukur që ndodhen nëpër varreza masive në Serbi?

A ka kërkuar falje Serbia për gjenocidin dhe terrorizmin e ushtruar në Kosovë?

A e ka ndalur Serbia fushatën agresive kundër njohjeve të Kosovës?

A e njeh Serbia shtetin e Kosovës?

Atëherë pse kryeministri Kurti duhet nxituar për largimin e taksës 100% dhe për dialogun me Serbinë?

Kryeministri Kurti nuk duhet të jet servil i ndërkombëtarëve dhe Listës Serbe.

Kryeministri Kurti e shpërbleu Listën Serbe me 2 ministri pa e votuar ata fare qeverinë Kurti.

Kryeministri Kurti mos të krenohet me shkarkimin e bordit të telekomit dhe disa konsujve diplomatik që i përkasin partive opozitare kur e din mirë që pjesa më e madhe s anëtarëve nëpër borde dhe konzulata janë anëtarë të LDK-së dhe ata as nuk guxon me i “prekë”.

Dhe shumë zyrtarë serb që marrin paga nga shteti i Kosovës pa punuar fare dhe pa e njohur shtetin e Kosovës.

Kryeministri Kurti duhet ta mbrojë shtetin e Kosovës dhe jo të zhvilloi politika populliste.

Duhet të jet parimor dhe jo servil.

Gëzim Kelmendi