Kosova

Kelmendi: Gjyqësori nuk i ka duart e lira

Arben Kelmendi, menaxher i programit për transparencë dhe antikorrupsion pranë KDI-së (Instituti Demokratik i Kosovës), në emisionin Desku në KTV ka thënë se Qeveria më së shumti do t’i kontribuonte luftimit të korrupsionit duke ia lënë duart e lira gjyqësorit.

“Qeveria do t’i kishte kontribuuar më së shumti luftës kundër korrupsionit sikur t’ia kishte lënë duart e lira gjyqësorit. Në momentin që gjyqësori fillon të punojë në mënyrë të pavarur i ka duart e lira. Çfarë duhet të bëjë Qeveria është të mos bëjë asgjë. Duhet t’ia lë duart e lira sepse në sistemin aktual gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës ka gjyqtarë dhe prokurorë që e dinë punën e tyre dhe e dinë se çfarë është korrupsioni sepse është një kapitull i tërë në kodin penal të Kosovës e cila i shkruan të gjitha veprimet të cilat kualifikohen si korrupsion ose si keqpërdorim i pozitës zyrtare për përfitime personale”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij kemi të bëjmë kryekëput me interferenca politike në punën e gjyqësorit.

“Ky është problemi më akut me të cilin duhet të ballafaqohet shoqëria kosovare në vitet në vijim. Ky ndryshim fillon me nivelin politik. Të korruptuarit nuk mund ta luftojnë korrupsionin sepse i bie se do të duhej ta luftonin vetveten. Krejt çfarë do të premtonin (partitë politike) është që ta lënë gjyqësorin që ta kryejë punën e vet që e ka me Kushtetutë”, ka thënë ai.

Kurse ndërhyrjen e LDK-së në rastin e Haki Rugovës, Kelmendi e ka quajtur si një nga skandalet e radhës të partnerit më të madh në qeverinë aktuale.