Kombëtare

KEDS-i arsyeton mungesën e energjisë elektrike në Prishtinë me futjen e kabllove nën tokë

Ahmet Ramadani nga Prishtina, pjesë të pandashme të shtëpisë së tij e ka një shtyllë elektrike me kabllo të shumta të vendosura aty.

Ramadani që jeton në Gjermani thotë se me shumë rezerva vjen në Kosovë për pushime, pasi frikësohet për jetën e familjarëve nga ky lëmsh i kabllove që ia rrethojnë shtëpinë, raporton KOHA.

Ramadani ka treguar se kur e ka ndërtuar këtë shtëpi në vitin 1986 është dashur që vetë ta paguajë shtyllën elektrike dhe prej atëherë, ajo po e shfrytëzohet edhe për shërbime të tjera.

Këso telashesh kanë edhe banorët e tjerë të rrugës “Mustafë Hoxha”, në Prishtinë, por edhe në lagje të tjera.

Nazif Dema thotë se kjo gjendje është për të ardhur keq.

Për ndërprerjet e rrymës ditëve të fundit KEDS-i thotë se po bëhen pasi po punohet në për futjen e kabllove nën tokë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se projekti 17- milionësh për futjen e kabllove të energjisë elektrike në tokë është dashur të përfundojë këtë vit, por për shkak të situatës me pandeminë punimet pritet të kryhen në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.