KE: Të hetohet vdekja e burrit rom gjatë arrestimit nga policia çeke

Këshilli i Evropës ka kërkuar një hetim të plotë dhe të pavarur për rastin e vdekjes së një qytetari rom derisa po arrestohej nga një polic çek.

Polici çek e kishte shtypur me gju në qafë për disa minuta.

Sipas Këshillit të Evropës veprimi i policisë ishte alarmues dhe ngre pyetje të shumta për rrethanat e këtij incidenti tragjik.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin verior të Teplicës në Çeki.

Pamjet kanë treguar se si më 19 qershor, njëri nga tre policët kishte shtypur me gju qafën e burrit rom.

Ai kishte vdekur më vonë në ambulancë dhe identiteti i tij nuk është bërë i ditur.

Policia kishte thënë se një mjek e kishte përcaktuar mbidozën nga droga si shkaktare të vdekjes.

Ky shpjegim i policisë u hodh poshtë nga aktivistët e komunitetit rom të cilët paralajmëruan një protestë në Pragë.

Por, kryeministri çek, Andrij Babis ka mbështetur trajtimin e incidentit nga ana e policisë.

“Nëse dikush shkatërron makina, është agresiv dhe madje edhe e kafshon një polic, atëherë nuk duhet të presë që të trajtohet me doreza fëmijësh”, tha Babis më 23 qershor.

Edhe organizata Amnesty International në Pragë, dhe e dërguara e qeverisë për të drejtat e njeriut, Helena Valkova, gjithashtu kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur.

Ka shumë kohë që komuniteti rom përballet me racizëm dhe diskriminim në Evropën Lindore. Ata ballafaqohen me pengesa të mëdha edhe në punësim dhe arsimim.

Go to TOP