Kosova

Kë prej politikanëve të Kosovës e mundoi koronavirusi

Koronavirusi ka prekur edhe shumë politikanë të Kosovës, së fundmi me virusin që ka origjinë nga Kina është infektuar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili deklaroi se ka kokëdhimbje të lehtë, pak kollë dhe skuqje të syve. Por, kush janë politikanët e Kosovës të cilët pohuan se virusi i “shtriu për toke”, si dhe përjetuan “dhimbje të forta në të gjithë trupin”.

Në Evropë dhe në botë ka filluar vala e dytë e koronavirusit, duke shënuar numra rekord të viktimave dhe të të infektuarve, rritja e numrit të rasteve po ndodh edhe në Kosovë, krahasur me muajt paraprakë. E në mesin e të konfirmuarve pozitivë me COVID-19 ka edhe politikanë.

Disa nga politikanët ndodhen në vetizolim, e ka prej atyre që kanë pohuar se koronavirusin e kanë kaluar me simptoma të lehta.

Ndër politikanët e parë të infektuar me COVID-19 ishte Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili në njoftimin që bëri për gjendjen e tij shëndetësore tha se “përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor”. Dy javë më vonë, Mustafa konfirmoi se u shërua plotësisht nga koronavirusi.

Me simptoma të lehta e kaloi koronavirusin edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Dy javë më vonë i njëjti iu rikthye aktiviteteve ditore të tij.

Por, koronavirusi e mundoi ish-ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku, pasi në njoftimin që bëri për shërimin e tij tha se “COVID19 një javë m’ka “shtri për toke”!”.

Pa u infektuar me COVID-19, nuk shpëtoi as kryeministri Avdullah Hoti, i cili dy javë pas izolimit u rikthye në punë, me ç’rast edhe u konfirmua shërimi i tij.

Me virus u infektua edhe shefi i GP-së së LDK-së, Arben Gashi, deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, Abelrad Tahiri, Memli Krasniqi e Uran Ismaili.

Nga koronavirusi u shëruan edhe deputeti i LDK-së Fetah Rudi dhe Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, zv/kryeministri Driton Selmanaj dhe deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli.

Ndërsa, virusi po e mundon ish-zv/ministren Rejhan Vuniqi, në njoftimin e bërë dy ditë më parë, Vuniqi tha se ndjen dhimbje të forta në të gjithë trupin, teksa apelon të gjithë që të mos i heqin maskat kurrë nga fytyra.

“Virusi COVID-19 mbërriu edhe tek unë, me një egërsi të papërshkrueshme, sa që edhe tani kur po shkruaj këtë postim, ndiej dhimbje të forta në gjithë trupin.

Unë vetëm deshta të përqoj një mesazh tek të gjithë ju që ende nuk jeni prekur nga ky virus dhe keni fatin të jeni të shëndoshë. Përveq që kurrë mos i largoni maskat nga fytyra kur të jeni jashtë, dezinfektoni duart sa herë që të keni kontakt me dikë dhe më e rëndësishmja, rrini sa më shumë në distancë me njerëzit që i takoni…”, shkroi Vuniqi ndër të tjera.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, ka bërë të ditur se që nga fillimi i pandemise numri total i rasteve pozitive në vendin tonë është 18.345, kanë ndodhur 669 vdekje, 15.198 pacientë janë shëruar, kurse numri i rasteve aktive është 2.478.