Kosova

KDI pas vendimit të Kushtetueses: Është në përgjegjësinë e të gjitha palëve të përmbahen nga gjuha dhe veprimet jodemokratike

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) konsideron se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi ka sqaruar disa prej dispozitave dhe parimeve më të ndjeshme që ndërlidhen me formimin e qeverisë, duke evituar situata të bllokimit edhe në të ardhmen.

KDI kërkoi që të respektohet nga palët aktgjykimi i Kushtetuese dhe të garantohet tranzicioni demokratik i pushtetit.

“Është në përgjegjësinë e të gjitha palëve të përmbahen nga gjuha dhe veprimet jodemokratike, duke siguruar tranzicion të qetë të pushtetit, i cili është qenësor për të ruajtur funksionimin e shtetit”, thuhet në reagim.

KDI rikujton se vendi ndodhet para proceseve të rëndësishme politike dhe sfidave ekonomike, që kërkojnë konsensus dhe funksionalitet të plotë të institucioneve.

Instituti Demokratik i Kosovës thekson se përkrahë të drejtën e qytetarëve për të shprehur mospajtimet e tyre nëpërmjet protestës, për sa ato janë demokratike dhe nuk prodhojnë tensione të cilat do të mund të dëmtonin të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj. /Telegrafi/