Kosova

KDI: Deputetëve t’u garantohet lëvizja e lirë gjatë ushtrimit të mandatit

Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një komunikate për media, ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të kenë lehtësime që mundësojnë ushtrimin e papenguar të funksioneve të tyre kushtetuese, për aq kohë sa vërtetohet se këto lehtësime nuk rrezikojnë shëndetin e të tjerëve.

Ky reagim vjen pas paralajmërimeve të pushtetit se nëse deputeti Behgjet Pacolli hyn në Kosovë, ai do t’u nënshtrohet masave për izolim dyjavor. Pacolli kishte marrë leje dje nga Ministria e Infrastrukturës për aterrim në Prishtinë me aeroplanin privat, por ai kishte vendosur të ndalej në Tiranë. Ai ishte nisur drejt Kosovës në kohën kur po planifikohet votimi i Qeverisë së re me AKR-në, që ai e udhëheq, si pjesë të koalicionit. Lidhur me masat e paralajmëruara, Pacolli ka kritikuar qeverinë përmes disa postimeve në rrjete sociale të martën.

“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me lëvizjen e lirë të deputetëve në kohë pandemie, në relacion me ushtrimin e mandatit të tyre. Përkundër që në Kosovë janë ende në fuqi masat e izolimit dhe karantinimit të ndërmarra nga institucionet relevante, KDI vlerëson që deputetët duhet të kenë lehtësime që mundësojnë ushtrimin e papenguar të funksioneve të tyre kushtetuese, për aq kohë sa këto lehtësime vërtetohet se nuk mund të rrezikojnë shëndetin e deputetëve tjerë”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

KDI-ja ka thënë se në këtë kohë, kur janë në fuqi masat e izolimit për shkak të koronavirusit, duhet të mundësohet mbajtja e seancave në distancë. Për këtë, ka bërë me dije se një opsion i tillë mund të bëhet i realizueshëm nëse votohet me 2/3 e deputetëve.

“Në situatën kur ekziston një rrezik i tillë, në mënyrë që të mos cenohet shëndeti i deputetëve dhe në të njëjtën kohë të njëjtit të mos privohen nga ushtrimi i detyrave të tyre kushtetuese, Kuvendi duhet të shohë mundësinë e mbajtjes së seancave në distancë, duke ua ofruar kështu mundësinë e pjesëmarrjes në seancë të gjithë deputetëve. Duke qenë se një opsion i tillë nuk parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit, për ta bërë të mundur realizmin e seancave në këtë mënyrë nevojitet që të votohet për shmangie nga Rregullorja, që bëhet me votat e 2/3 të deputetëve të pranishëm”, përfundon reagimi i KDI-së.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.