KULTURË

Kurti: Përkulemi me nderime dhe mall

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh, me rastin e ndarjes nga jeta të artistit Rasim Thaçi-Cima, në nderim të jetës dhe veprës së tij.

Kryeministri Kurti pas homazheve shkroi edhe në Librin e Zizë, teksa kujtoi se Rasim Thaçi- Cima, gëzimin dhe humorin e tij e shtonte kudo, e tërë kohën duke e ndarë me të tjerët.

I shoqëruar nga Presidenti në detyrë dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministri i  Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, Kryeministri Kurti tha se vendosën lule të freskëta për këtë lamtumirë të fundit, duke u përkulur me nderime dhe mall për Rasim Thaçin – Cimën.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Si fëmijë jemi rritur me Cimën dhe vetëm kur u rritëm e nuk ishim më fëmijë e morëm vesh qe nuk quhej Rasim Thaçi.

Gëzimin dhe humorin e tij e shtonte kudo e tërë kohën duke e ndarë me të tjerët, ndërkaq neve tani na duhet që ta zvogëlojmë dhembjen dhe pikëllimin për të, duke e ndarë me njëri tjetrin.

Rasim Thaçi – Cima mund të ketë qenë ndonjëherë i pakënaqur, e ndonjëherë edhe i palumtur, por ka qenë gjithmonë i gëzuar, dhe gëzimi i tij ka qenë edhe guxim për të e për të gjithë ne kur e takonim atë, në ekranet televizive apo në rrugët e kryeqytetit.

Andaj, për shkak të kësaj mënyre të jetesës së tij përplot gëzim, vdekja e tij përveçse e parakohshme, na ngjanë edhe e pabesueshme.

Sot, bashkë me Presidentin në detyrë dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, vendosëm lule të freskëta për këtë lamtumirë të fundit, kur ne përkulemi me nderime dhe mall për Rasim Thaçin- Cimën. /Kosova.info/