Kronika e zezë

Katër të arrestuar nga aksioni te Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë

Katër zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë, që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, janë arrestuar pas aksionit të sotëm të policisë që është zhvilluar në këtë agjenci.

Pjesëtarët e Njësisë Speciale dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike duket se kanë gjetur edhe prova materiale në këtë aksion, pasi janë larguar me disa dosje.

Ministria e Bujqësisë nuk është deklaruar rreth këtij aksioni që ndodhi mëngjesin e sotëm, pavarësisht insistimeve të Klan Kosovës.

Ky aksion, arsyet e të cilit ende nuk dihen, ka qenë i shtrirë në disa lokacione në Kosovë përfshirë Komunën e Istogut, atë të Lipjanit dhe disa komuna të tjera.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar këtë aksion të gjerë, por nuk ka dhënë informata të tjera duke thënë se detajet do të jepen pas përfundimit të tij.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor në disa lokacione, në rajone të ndryshme. Informacione shtesë mund të jepen pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë zëdhënësi Baki Kelani. /KlanKosova.tv