Shëndetësia me probleme bazike, pacientët në listat e pritjes së QKUK-së që nga viti 2018

Shëndetësia kosovare vazhdon të ballafaqohet me probleme të ndryshme. Mungesa e profesionistëve dhe e aparaturave ka shkaktuar vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike. Për shërbime të caktuara ka raste kur qytetarët presin nga viti 2018. Shoqata e Pacientëve kërkon më shumë transparencë.

Pacientët që kërkuan shërbime të caktuara në Klinikën e Ortopedisë 5 vjet më parë, ende janë duke pritur.

Me të njëjtin problem po përballen edhe të tjera klinika, ndonëse janë krijuar grupe punuese për revidimin e listave. Një nga arsyet është mungesa e stafit, materialit shpenzues apo aparaturave.

Gazmend Spahia, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë, thotë se ka pak staf krahasuar me kërkesat e klinikave. Thotë se janë detyruar t’i shpeshtojnë edhe kujdestaritë.

“Jemi 45 anesteziolog dhe ky është numër i vogël që duhet të ndahet në 34 njësi brenda QKUK-së. Klinika e Ortopedisë ka më së shumti kërkesa dhe tash me objektin e ri kanë shtuar kapacitetet por ne nuk kemi shtuar numrin e anesteziologëve”, tha Gazmend Spahia, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë

Pritje ka edhe për shërbime radiologjike, ndërkohë edhe numri i këtyre profesionistëve nuk konsiderohet i mjaftueshëm pasi nga QKUK-ja duhet të asistojnë në spitalet rajonale.

“Kërkesat në klinikën e radiologjisë ende janë shumë të larta ku brenda ditës vijnë deri në 50 kërkesa për ekzaminim me rezonancë magnetike. Kemi zbut listën e pritjes”, tha Shkëndije Nuza, drejtoreshë e Klinikës së Radiologjisë.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve ka kërkuar më shumë transparencë në krijimin e listave.

“Duhet të menaxhohen pak më ndryshe dhe listat duhet të jenë më transparente normalisht të kodifikuara për të ruajtur privatësinë”, tha Besim Kodra nga PRAK.

Kodra konsideron se duhet shmangur mundësitë për keqpërdorim në krijimin e listave pasi dëmtohen qytetarët që detyrohen të harxhojë shuma të mëdha parash në institucionet private./RTK/

Go to TOP