Bota

Katastrofa e përmbytjeve la më shumë se 180 persona të vdekur, mbi 6 miliardë euro dëmet

Gjermania u përmbyt tragjikisht në muajin korrik, një katastrofë natyrore që u kushtoi jetën mbi 180 personave. Fshatrat perëndimore tani përballen me problemin e mbetjeve që kanë lënë pas vërshimi i ujërave dhe baltës.

Rajonet në perëndim të Gjermanisë po e gjejnë veten përballë maleve me mbetje që lanë përmbytjet e muajit të kaluar.

Katastrofa la më shumë se 180 gjermanë të vdekur dhe dëmet materiale janë llogaritur mbi 6 miliardë euro nga kompanitë e sigurimit.

Shirat e natës së 14 korrikut nxorën lumenjtë nga shtrati duke i vërshuar brenda fshatrave, teksa morën me vete përveçse jetë njerëzish, edhe baltë e orenditë e tyre shtëpiake.

“Këtu në qendrën e menaxhimit të mbetjeve në Nidërcisen jemi në kufi të kapacitetit. Kemi marrë 35 mijë tonë mbetje nga zona e katastrofës dhe të njëjtën sasi e kemi çuar në landfill. Po përpunojmë aq sa për një vit.”

Stafi përpunues i mbetjeve për luginën e Ahrit është katërfishuar për të menaxhuar fluksin.

Prokurorët gjermanë thanë të hënën se po hetojnë pasojat e përmbytjeve dhe pretendimet se ka pasur neglizhencë nga ana e autoriteteve lokale apo qendrore.

Shumë banorë janë ankuar se nuk u sinjalizuan para kohe, dhe në fashikujt e prokurorisë pritet të përfshihet edhe rasti i 12 të moshuarve të një qendre përkujdesi që nuk mundën të evakuoheshin nga qyteza e Zincigut.

Hetime po zhvillon edhe Belgjika për të sqaruar pse gati 40 shtetas të saj po ashtu mbetën viktima të përmbytjeve përgjatë korrikut.

Dy nga pretendentët për kreun e qeverisë gjermane në muajin shtator zbritën të martën në rajonin e Nordrain-Vestfalisë për ta parë nga afër situatën.

“Këto rreziqe kanë për të ekzistuar edhe në vitet që vijnë. Rindërtimi i infrastrukturës publike dhe i bizneseve nënkupton që edhe qytetet të rindërtohen për t’u rezistuar përmbytjeve,” deklaroi Armin Lashet, lideri i kristiandemokratëve.