SPORT

Kastrati tregon për ofertën që ia kishte bërë Kroacia para se t’i bashkohej Kosovës

Lirim Kastrati, talenti i Kosovës dhe Lokomotivës së Zagrebit, ka zbuluar në Interaktiv të KTV-së se në të kaluarën është kërkuar edhe nga kombëtarja kroate.

20-vjeçari, që ishte ndër më të dalluarit te Kosova U21 në fitoren 3 me 1 ndaj Turqisë, ka thënë se i është premtuar edhe pasaporta kroate vetëm që të pranonte të luante për këtë shtet.

“Para se të vendos për Kosovën kam pas kontakte edhe me shtetin kroat. Më kanë thënë që nëse nuk luan për Kosovën, e luan për U21 të Kroacisë për dy vjet e merr edhe pasaportën. Edhe po të ishte veç për një vit, kam pas dëshirë të luaj për shtetin tim. Këtu kam lind e jam rritur. Edhe familja ime. Është ndjenjë tjetër të luash për shtetin tënd”, ka thënë ai.

Kastrati ka treguar se pas fitores 3 me 1 ndaj Turqisë me Kosovë U21 ka pasur takim edhe me përzgjedhësin e kombëtares A të Kosovës, Bernard Challandes. “Më ka pritur më gjatë sepse kam pas konferencë. Biseduam e më tha shumë fjalë të mira për golin dhe ndeshjen e mirë. Tash do të jemi në kontakt të shohim si po më ecën në kampionat a do të luajë në ekip të parë ose U21”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se do të jetë gjithmonë gati pavarësisht a ftohet nga Kombëtarja A apo ajo U21.