Kombëtare

Kastrati thotë s’e anulon reformën arsimore edhe nëse i kërkohet nga ministrja Bajrami

Vendimi për riorganizimin e shkollave ka prodhuar telashe për qeverisjen komunale të Kamenicës meqë nuk po arrihet të binden prindërit që fëmijët e tyre të transferohen në shkollat e tjera të cilat kanë numër më të madh të nxënësve. Gjersa procesi mësimor është bojkotuar në disa shkollat të cilat preken nga riorganizimi.

Prindërit vazhdojnë të kërkojnë që nxënësit të vijojnë procesin mësimor në shkollat të cilat gjenden afër vendbanimeve të tyre. Por komunarët janë të vendosur që të vazhdojnë me planin e tyre dhe të mbyllin shkollat të cilat kanë numër të vogël të nxënësve. Sipas tyre kriter për funksionimin e shkollave është që çdo klasë duhet të ketë së paku 20 nxënës. Ndërkaq zhvillimet të cilat janë duke ndodhur në këtë komunë kanë nxitur edhe interesimin e Ministres së re të Arsimit, Hykmete Bajrami.

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati në konferencën për shtyp që është mbajtur sot ka deklaruar se është zhvilluar një bisedë telefonike me Ministren e Arsimit e cila është shprehur e gatshme që të vizitojë këtë komunë me qëllim që të njoftohet rreth reformës në arsim, raporton Koha Ditore.

Kryetari i komunës së Kamenicës ka bërë thirrje publike që prindërit të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat të cilat janë të përcaktuar nga drejtoria e arsimit dhe nuk duhet të shpresojnë se Ministria e Arsimit do të anulojë reformën në arsim. Ai është shprehur se Ministria e Arsimit nuk ka kompetencë që të ndërhyjë në fushat të cilat janë përgjegjësi e pushtetit lokal.

“Ajo më ka telefonuar dhe ka thanë që është e interesuar për zhvillimin e një vizite në Kamenicë ose ne të shkojmë atje. Kanë premtuar se në fillim të javës do të takohemi dhe do të avancojmë dhe ne do t’i informojmë për gjendjen. Tash ata janë duke u vendosur në Ministri dhe nuk besoj se i kanë të gjitha njohuritë. Jam i bindur që Ministria do të na përkrahë mirëpo edhe nëse është e kundërta nuk është në mandatin e tyre. Rregullativa ligjore buron nga karta e vetëqeverisjes lokale e Bashkimit Evropian dhe organizimi i shkollimit fillor dhe i mesëm është në kompetencë të komunave. Në fund të fundit mundet dikush me dhanë ndonjë deklaratë politike mirëpo nuk ka çfarë të bëjë” ka thënë ai.

Ai deklaron se reforma do të vazhdojë pavarësisht kundërshtimeve të banorëve. Thotë se është iniciuar edhe procedura në Gjykatë ndaj atyre prindërve të cilët nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkolla. “Nuk tërhiqemi nga reforma dhe do të vazhdojmë me veprime konkrete sepse ligji i e parasheh nëse prindi pa arsye nuk e dërgon fëmijën në shkollën ku e përcakton komuna atëherë drejtoria e arsimit duhet me përcjell këtë informatë në gjykatë. Kemi bërë kërkesën në gjykatë dhe janë 20 prindër dhe janë stafi i shërbyesve civil dhe janë mësimdhënësit dhe tash jemi duke parë vazhdimin me grupet e tjera” ka thënë Kastrati, raporton Koha Ditore.

Ndërkaq Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymer Reshiti ka kërkuar nga kryetari Qëndron Kastrati që të pezullojë procesin e riorganizimit të shkollave gjersa të kërkohet një zgjidhje nga Ministria e Arsimit. Në prononcim që është dhënë për gazetën “Koha Ditore” ka deklaruar se vazhdimi i planit për riorganizimin e shkollave në këtë komunë do të irritojë edhe më shumë banorët.

“Jemi kundër riorganizimit. Kryetari i komunës duhet të ketë të qartë se me numrin e vogël të nxënësve po përballen shumë shkolla në shumë komuna. Mirëpo komunat e tjera nuk po implementojnë këtë riorganizim. Duhet të ulen palët me Ministrinë e Arsimit dhe të hartohet një strategji për këtë. Sepse komuniteti është kundër por edhe nuk ka mbështetje politike. Nuk e kam të qartë pse po nxitohet me këtë reformë. Sepse dalin probleme edhe më shumë. Prandaj kërkojmë që të pezullohet riorganizimi dhe nxënësit të kthehen në procesin mësimor” ka thënë ai.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.