Kombëtare

Kastrati: 69 persona në Kamenicë janë identifikuar si kontakte të të infektuarve, grupi i dytë testohet nesër

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka folur për situatën me COVID-19 në këtë komunë.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se të gjithë personat e prekur me koronaviurs, janë raste të kontaktit të personit të parë i cili është konfirmuar pozitiv më 30 mars.

Ai thotë se i njëjti ka qenë vozitës në linjën Kosovë-Gjermani.

“Një qytetarë i joni në fshatin Topanicë ka qenë vozitës në linjën Kosovë-Gjermani, të një agjencioni. Ka hy në Kosovë ,më 18 mars, por kanë kaluar 12 ditë dhe nuk ka pasur ndonjë simptomë. Me datë 30 me insistimin e tij i është bërë testi dhe ka rezultuar pozitiv. Ka kaluar një kohë e gjatë që ka pasur kontakt me familje dhe të tjerë. Kemi propozuar një listë më 17 persona që janë testuar dhe nga ta 11 kanë dalë pozitiv me koronavirus”, ka thënë ai

Ai tutje ka shtuar se testimi do të vazhdojë edhe me grupe të tjera.

Kastrati tutje ka thënë se të gjithë të identifikuarit deri tash në Kamenicë nuk janë me ndonjë sëmundje kronike derisa ka shtuar se më i riu është një foshnje 5 muajsh.

Kastrati ka thënë se nga 12 personat e infektuar, tre janë në Klinikën Infektive.

“Personi i parë që është identifikuar është në Klinikën Infektive, personin 72 vjeçar dhe foshnja, të tjerët janë në shtëpi. Tash qytetarët janë më të shqetësuar dhe janë duke na ndihmuar të gjithë për t’i identifikuar personat që ai ka pasur kontakt. Janë duke e respektuar edhe urdhëresën për të qëndruar në shtëpi”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se nesër do të bëhet testi edhe i grupit të dytë.

“69 persona janë të identifikuar si kontakte, përparësi kanë stafi mjekësor dhe ata të cilët janë më të moshuar e kanë sëmundje kronike”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Komuna ka obligim që familjet që janë në karantinë t’iu sigurojë ushqim e medikamente.