KULTURË

Karahoda, i emocionuar që po çon Kosovën në “Berlinale”

Filmi “Në mes”, i autorit Samir Karahoda, është filmi i parë nga Kosova që pranohet në Festivalin e Berlinit në kuadër të garës ndërkombëtare të filmave të shkurtër “Berlinale Shorts”, i cili njihet si një nga festivalet më prestigjioze në Evropë. Mes datave 9-14 shkurt, kur mbahet festivali, ky film do ta prezantojë Kosovën në këtë garë, kurse në një intervistë për gazetën “Zëri” autori Karahoda ka folur për sukseset, vështirësitë, si dhe për rëndësinë e paraqitjes para publikut ndërkombëtar.

Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e “Berlinales” për filma të shkurtër. Filmi trajton dy tema, solidaritetin dhe kthimin në vendlindje. Si jeni inspiruar ta trajtoni filmin në këtë drejtim?

Meqenëse udhëtoj shumë nëpër Kosovë gjithmonë më ka lënë përshtypje tradita e ndërtimit të shtëpive të njëjta sidomos në pjesët rurale të Kosovës. Në vitin 2011 fillova të punoja në një projekt fotografik lidhur me këtë temë. Më vonë vendosa të hyja pak më thellë në këtë temë dhe të realizoja një film, i cili është edhe pjesë përbërëse e temës së diplomës së magjistraturës.

Fillova t’i intervistoj banorët e këtyre shtëpive dhe të kuptoja arsyen e kësaj tradite. Ajo çka kuptova ishte diçka jashtëzakonisht humane, prindërit mundohen që secili djalë i tyre të trajtohet njëjtë, ata investojnë që fëmijët të kenë një arsye për t’u kthyer në vendlindje, kurse vëllezërit në mes tyre të solidarizohen duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe kanë marrëdhënie shumë të afërta që rrallëkund mund t’i gjesh. Pra filmi në bazë trajton traditën e ndërtimit të shtëpive të njëjta, domethënien e familjes që konsiderohet diçka e shenjtë në secilën shoqëri dhe njëkohësisht emigrimin, i cili është edhe pjesë përbërëse e shoqërisë sonë.

Si mendoni se do të perceptohet kjo temë nga shikuesit ndërkombëtarë?

Të gjithë e dimë se emigrimi është një problem global, sidomos një shtet si Gjermania e cila edhe ballafaqohet me emigrimin ilegal, por në të njëjtën kohë emigrantët i ka pjesë të zhvillimit të saj. Në fakt kjo është një fotografi, e cila paraqet gjithë Ballkanin e sotëm ku në vitet e fundit për shkak të korrupsionit, të politikave jo të mira dhe të moszhvillimit të mirëfilltë detyrojnë që qytetarët të gjejnë zgjidhje vetë për një jetë më të mirë.

Cila ka qenë vështirësia më e madhe e realizimit të një filmi të tillë?

Në fakt nuk kam pasur ndonjë vështirësi që vlen të përmendet. E vetmja vështirësi të cilën mund ta cek është sfida për ta trajtuar një temë lokale në atë universale, besoj që këtë e kam arritur atë pasi tashmë është vlerësuar nga një festival si Berlinalja. Por vlen të theksohet që titulli i emrit ka qenë një sfidë e vërtetë, pasi më duhej një titull i cili mbulon të gjitha temat që trajtohen brenda 14 minutave, ku me të vërtetë ka shumë tema brenda filmit dhe secili shikues, sidomos ai kosovar, mund ta gjejë veten në të.

Si regjisor si e komentoni vlerësimin që ju është bërë nga një festival prestigjioz si “Berlinale”?

Duke e marrë parasysh që është film debutues dhe njëkohësisht edhe debutim për Kosovën në “Berlinale” më bënë të ndihem jashtëzakonisht i lumtur dhe i emocionuar. Kjo e dëshmon më së miri se kur punon diçka me shumë përkushtim dhe me shumë besim gjithsesi do të shpërblehet.

Filmi është produksion kosovar i mbështetur edhe nga shteti. Sa është e vështirë për një regjisor të realizojë një film në Kosovë?

Në ditët e sotme në çdo vend të botës është e vështirë të bësh film, për atë arsye gjithmonë duhet pasur parasysh kushtet se në cilin vend e realizon atë. Në rastin e Kosovës ku kinematografia është në zhvillim dhe  buxheti është i vogël, edhe pse në vitet e fundit kemi rritje të përkrahjes në kinematografi besoj që duhen shfrytëzuar në maksimum mundësitë që i kemi. Filmi ynë është realizuar me një buxhet modest ose më mirë të them të vogël.  Por përderisa autori është i vetëdijshëm dhe i beson veprës së tij unë mendoj që mund t’ ia dalë që vepra të realizohet në mënyrë sa më cilësore edhe me kushte minimale.

Përveç “Berlinale”-s, filmi do të shkojë edhe në “Tampere Film Festival”, sa është e rëndësishme për ju paraqitja atje para një publiku tjetër?

Normalisht, qëllimi i çdo autori është që vepra e tij të arrijë në publik sa më shumë të jetë e mundur dhe në audienca të rëndësishme. “Tampere” është ndër festivalet më të rëndësishme të shteteve skandinave dhe fakti që jemi aty e vërteton që filmi po mirëpritet dhe po vlerësohet nga të gjitha anët e botës. Tashmë kemi edhe konfirmime nga festivale të tjera të rëndësishme që me kohë do t’i publikojmë edhe ato.

Shumë filma kosovarë janë duke përfaqësuar Kosovën në festivale të ndryshme jashtë shtetit. Sa po e afirmon kjo kinematografinë tonë?

Veprat kinematografike fatmirësisht janë duke e prezantuar shtetin tonë denjësisht në gjithë globin, sidomos viteve të fundit mund të them që jemi ndoshta ndër shtetet më të zhvilluara nga rajoni në lëmin e veprave kinematografike. Fatkeqësisht ne kemi akoma një imazh diskutabil në komunitetin ndërkombëtar, por sporti dhe arti janë duke e balancuar imazhin tonë. Shpresoj që përkrahja e shtetit të rritet në këto sfera që të kemi mundësi për sa më shumë suksese dhe për sa më shumë prezantime ndërkombëtare me qëllim që të dëshmojmë se vendi ynë ka vlera, ka kulturë dhe ka njerëz kreativë.