Bota

Kaos në ShBA/ Raportohet se 50 agjentë të Shërbimit Sekret janë lënduar pranë Shtëpisë së Bardhë

Kaosi ka vazhduar nëpër qytetet në Amerikë, ndërsa është njoftuar se 50 agjentë të Shërbimit Sekret janë lënduar në përleshjet me protestuesit të dielën në Washington DC, ndërkohë ka pasur konfrontime edhe në New York City, e po ashtu thyerje të shitoreve në Kaliforni, Philadelphi dhe Boston, shkruan “Daily Mail”.

Dhjetëramijëra persona janë mbledhur ndërsa Garda Nacionale është vendosur në gjysmën e shteteve në SHBA të dielën për protestat, ku janë arrestuar 4100 persona vetëm këtë fundjavë. Protestat kanë nisur kundër dhunës së policisë, pasi që afro-amerikani George Floyd vdiq gjatë arrestimit nga policia e Minneapolisit. Videot e dhunës së tepruar të ushtruar nga policia kanë irrituar masën.

Edhe prezenca e madhe e policëve nuk ka frenuar protestuesit në Philadelphia që të gjuajnë me gurë dhe me koktej molotovi, ndërsa turmat kanë thyer shitoret përfshirë ato të “Coach” dhe “Chanel” në New York e San Francisco, ndërsa ka pasur zjarre disa metra larg nga Shtëpia e Bardhë.

Më vonë të dielën në Washington DC, zjarri është ndezur në kishën historike “St. John’s Episcopal” dhe në parkun “Lafayette” pranë Shtëpisë së Bardhë.

Këtë javë me qindra protesta janë organizuar në afro 145 qytete në SHBA ndërsa njerëzit janë mbledhur për të protestuar vdekjen e George Floydit.

Demonstratat kanë shfaqur trazira civile në SHBA të papara që nga vrasja e Martin Luther King Jr. në vitin 1968.

Së paku 40 qytete kanë vendosur orë policore pas trazirave dhe dhunës dhe anëtarët e Gardës Nacionale janë aktivizuar në 26 shtete dhe në Washington DC.

Guvernatori i Washingtonit, Jay Inslee, ishte në mesin e atyre që ka dërguar Gardën Nacionale pas trazirave, duke i quajtur këto trazira “ilegale dhe të rrezikshme”.

Në total së paku pesë persona kanë vdekur në protestat e dhunshme, ndërsa janë dëgjuar të shtëna me armë në Detroit dhe në Indianapolis, e në Omaha një protestues 22-vjeçar afro-amerikan është vrarë gjatë një përleshje me një pronar të një biznesi lokal.

Dy policë në Atlanta janë shkarkuar të dielën pasi një video është publikuar ku është dëshmuar se ata kanë përdorur dhunë të ekzagjëruar gjatë protestave në fundjavë, përfshirë edhe tërheqjen e dy studentëve nga vetura.

Katedralja “St. John’s”, që është hapur në vitin 1816, është vënë në zjarr të dielën mbrëma, por nuk është e qartë se si ka filluar zjarri. Zjarri është shuar pak pas orës 23:00.

Një zjarr është nisur edhe në parkun Lafayette, që gjendet pranë Shtëpisë së Bardhë, ku protestuesit kanë djegur edhe flamurin e SHBA-së, ndërsa më tepër se 1000 janë mbledhur dhe kanë ngritur grushtet në shenjë solidariteti.

Protestat kanë vazhduar edhe derisa ora policore po afrohen në Washington DC dhe policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Vetëm të dielën rreth 50 agjentë të Shërbimit Sekret janë lënduar, siç ka raportuar Fox News, pasi protestuesit kanë gjuajtur me shishe dhe koktej molotovi në drejtim të tyre. Madje është njoftuar se të premten mbrëma presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për një periudhë të shkurtër ishte evakuar në bunker. 

Në Manhattan policët e armatosur dhe memburoja kanë marshuar në drejtim të protestuesve.

Në New York vajza e kryebashkiakut, Bill de Blasio, Chiara, është arrestuar të shtunën mbrëma me disa protestues tjerë në fshatin Greenwich.

Të dielën janë thyer dhe plaçkitur shitoret përfshirë Chanelin në Soho dhe Coach në Midtown.

Në Los Angeles sherifi Alex Villanueva, ka thënë se personat që kanë dal në rrugë po sillen si terroristë.

Protesta ka pasur edhe në shtete tjera, për të përkrahur George Floydin. Floyd kishte vdekur më 25 maj pasi ishte arrestuar nga katër policë të Minneapolisit duke përdorur një faturë false 20 dollarëshe. Ai ishte shtrirë përtokë, ndërsa polici Derek Chuavin kishte mbajtur gjurin në qafën e tij për tetë minuta, ndonëse Floyd vazhdimisht kishte thënë se nuk po mund të marrë frymë. Policët janë shkarkuar nga detyra, ndërsa Chauvin është arrestuar.