SPORT

Kampionati në basketboll do të anulohet

Basketbolli do të jetë sporti i parë kolektiv në Kosovë që do t’i anulojë kampionatet, Superligën e meshkujve, femrave dhe Ligën e Parë.

Kështu ka thënë të dielën gjatë një interviste për “Sportin Total” në KTV, kryetari i Federatës së Basketbollit e Kosovës (FBK), Arben Fetahu. Fetahu ka theksuar se propozimin për anulimin e kampionateve do t’ia bëjë të hënën Bordit të FBK-së.

Ky propozim i FBK-së pritet të përkrahet edhe nga vet klubet e basketbollit. Vendimi për anulimin e kampionateve sipas Fetahut është për t’u dalë në mbrojtje klubeve për të mos hyrë më shumë në obligime ndaj basketbollistëve të huaj.

“Besoj është e kotë të pritet më shumë se kaq. Klubet tona janë duke hyrë në obligime çdo herë e më shumë, sepse edhe kontratat e tyre janë të pezulluara, por jo edhe të ndërprera. Për fat të keq, klubet do të kenë telashe nëse i anulojmë garat, por së paku do ta kenë prapa mbulesën e Federatës. Basketbolli do të jetë sporti i parë prej sporteve kolektive në Kosovës që do të marrë vendim t’i ndërpres garat. Unë këtë propozim do t’ia bëjë Bordit që të hënën (sot) për ndërprerje të kampionateve së paku të dy Superligave, atë të meshkujve dhe femrave si dhe Ligës së Parë të meshkujve, ku kemi klube me lojtar të huaj. Për të tjerat nuk është edhe aq urgjente”, ka thënë Fetahu.