Kosova

Kamionët e Veselinoviqit ndërtuan ‘Autostradën Patriotike’

Sipas raportit të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nga aktivitet e paligjshme në veri të Kosovës buxheti i shtetit humb rreth 750 mijë euro në javë, ku zhvillohet kontrabandë me derivate, kontrabandë e materialit ndërtimor, e barnave, e cigareve etj. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se brenda vitit nga këto aktivitete ilegale arka e shtetit humb rreth 40 milionë euro në vit.

Me tërë këto para që hyjnë në veriun e Kosovës dhe me gjithë këto mundësi për t’u marrë me aktivitete të paligjshme pa u rrezikuar nga Policia, sipas raportit të Iniciativës Globale, kuptohet qartë se mund të ketë përftime të mëdha për këdo që ka nën kontroll këtë rajon.

“Po cilët janë këta? Duke u bazuar në intervista dhe në të dhëna nga burime të ndryshme, veriu i Kosovës duket se është feudi i disa individëve që nuk guxon njeri t’ua përmendë emrin, por që njihen nga të gjithë. Ashtu si edhe në zona të tjera të Ballkanit, duket se edhe këtu janë krijuar lidhje të ngushta midis elitave të biznesit, politikës dhe krimit”, shkruhet në raport.

Më tej thuhet se emrat që përmenden në këtë rast janë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq.

“Veselinoviq dhe Radojiçiq kanë vite që janë ortakë biznesi, kanë njohje të hershme shoqërore me njëri-tjetrin dhe sipas raporteve zyrtare e artikujve hulumtues në medie, janë edhe bashkëpunëtorë në aktivitete kriminale”.

Në vitin 2011, kur filloi e ashtuquajtura kriza e barrikadave në veri të Kosovës, pasi komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e Kosovës morën nën kontroll pikat e kalimit kufitar me Serbinë, Veselinoviq dhe Radojiçiq konsideroheshin si udhëheqësit e rezistencës dhe mbrojtësit e interesave të serbëve të Kosovës.
“Ndërsa luanin rolin e nacionalistëve, duket se ajo që u interesonte në të vërtetë atyre ishte fakti se kontrolli më i rreptë në dogana do të dëmtonte interesat e biznesit të tyre dhe kriminelëve të tjerë. Kjo deklaratë është konfirmuar nga intervista me oficerë policie të Kosovës, nga diplomatë perëndimorë dhe nga zyrtarë të doganave, që pohojnë njëzëri se Veselinoviq ishte kreu i një rrjeti kriminal që kërcënohej nga kontrolli më i rreptë në dogana dhe se ai ishte organizatori kryesor dhe përgjegjës për ngritjen e dhjetëra barrikadave në rrugët e qytetit”.

ipas këtij raporti, Veselinoviq duket se i ka transferuar aktivitetet e veta jashtë veriut të Kosovës dhe është angazhuar në një sërë projektesh infrastrukturore në Serbi, duke përfshirë dhe ndërtimin e një autostrade.

“Disa pretendojnë se të njëjtët kamionë që u përdorën për të bllokuar urat e Mitrovicës, u përdorën për të ndërtuar ‘Autostradën Patriotike’. Ky biznesmen i dyshimtë serb ka pasur edhe më parë lidhje të ngushta me biznesmenë shqiptarë në Kosovë: në të kaluarën ai dyshohej për pjesëmarrje në kontrabandë karburanti”.

Në fillim të këtij viti një gjykatë në Pirot, në Serbinë Jugore, e dënoi Veselinoviqin me dy vjet burg për abuzim me detyrën gjatë ndërtimit të “Korridorit 10”, si dhe nën akuzën e përvetësimit të rreth 200.000 eurove.