Kosova

Kallëzim penal ndaj drejtuesve të Bordit të Agjencisë së Akreditimit

Tre anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Rozafa Koliqi, Dukagjin Zeka e Arta Jakupi, kanë bërë sot kallëzim penal ndaj kryetarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni, nënkryetares Vjollca Krasniqi dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Avni Gashi.

Sipas kallëzimit penal që e ka siguruar KOHA, ata kanë manipuluar një pjesë të anëtarëve ndërkombëtarë dhe kanë bërë shkelje të tjera në disa procese të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë duke kryer vepër penale, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kallëzimit penal, vetëm sivjet për regjistrimin e studentëve në vitin 2020/2021 janë 240 programe që duhet t’i nënshtrohen procesit të riakreditimit. Kjo shifër, sipas kallëzimit, edhe në kushte normale do të kishte vështirësi për t’u realizuar.

Aty thuhet se me gjithë thirrjen e vazhdueshme për ngritjen e dinamikës së punës, tani gjenden para një bllokade totale, e cila i sjell në situatë që të reagojnë fuqishëm për të pasur ndryshime në punën e KSHC-së dhe për të ndërhyrë në mënyrë urgjente e për të penguar degradimin e arsimit të lartë.

“Për shkak të papërgjegjësisë dhe qëllimeve të caktuara personale, agjendave të subjekteve apo arsyeve të tjera, ish-ushtruesi i detyrës, drejtori i AKA-së, Avni Gashi, udhëheqësit e KSHC-së, Gazmend Luboteni dhe Vjollca Gashi, me manipulimin e një pjese të anëtarëve ndërkombëtarë kanë sjellë deri tek situatat intriguese, dyshuese dhe shkeljeve ligjore të AKA-s”, thuhet në kallëzim penal.

Ndër të tjera, theksohet se si pasojë e këtyre neglizhimeve, Agjencia mund të ketë pasoja edhe në anëtarësimin në institucione ndërkombëtare.

Për shkeljet e pretenduara, 3 anëtarët e KSHC-së, Rozafa Koliqi, Dukagjin Zeka e Arta Jakupi, i kanë shkruar letër ditë më parë edhe ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, dhe Komisionit Parlamentar për Arsim. Një nga shkeljet që përmendet në letër është ngecja e qëllimshme e aprovimit të listës së ekspertëve ndërkombëtarë për akreditim. Ekspertët e bëjnë vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë ose të programeve studimore dhe në bazë të rekomandimit të tyre KSHC-ja merr vendim për akreditim ose jo.

Në letër gjithashtu thuhet se procesverbalet e mbledhjeve që nga data 15 qershor 2019 deri më 16 janar të këtij viti nuk janë sjellë për aprovim në mbledhjet e Këshillit dhe nuk janë aprovuar ende. Po ashtu, thuhet se ka pasur aprovim të aplikacioneve për akreditim pa verifikim paraprak të stafit akademik, si dhe janë sjellë ekspertë ndërkombëtarë pa aprovim nga Këshilli dhe vetëm me kërkesë të institucioneve të arsimit të lartë.

Në lidhje me këtë letër “Koha Ditore” ka raportuar të mërkurën.

Rreth pretendimeve të Koliqit, Zekës e Jakupit, në shkrimin e gazetës kanë reaguar kryetari i KSHC-së, Gazmend Luboteni, dhe nënkryetarja Vjollca Krasniqi, duke i quajtur ato pretendime të pabazuara. Sipas reagimit, vonesa për përzgjedhjen e ekspertëve ndërkombëtarë është rezultat i mosveprimit të Agjencisë e jo i Këshillit. Në reagim thuhet se KShC-ja tani është duke e përfunduar listën e ekspertëve për t’i organizuar vizitat në terren, të cilat janë planifikuar të bëhen sapo të përmirësohet gjendja në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar situata e pandemisë së koronavirusit.

Edhe sa i përket mossjelljes së procesverbaleve në mbledhje të Këshillit, Luboteni dhe Krasniqi vlerësojnë se kjo është përgjegjësi e Agjencisë e jo e Këshillit.

“Së treti, pohimi që në takimin e mbajtur në janar 2020, KShC-ja i ka aprovuar programet pa e aprovuar stafin dhe me ekspertët e zgjedhur nga vetë institucionet e arsimit të lartë, është po ashtu i pabazuar”, thuhet në reagimin e Gazmend Lubotenit e Vjollca Krasniqit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.