KULTURË

Kalaja e Artanës vazhdon të shkatërrohet nga dita në ditë, thonë ekspertët

Kalaja e Artanës vazhdon të shkatërrohet nga dita në ditë.

Për këtë gjendje të rëndë të këtij objekti që daton nga shekulli XIII, drejtuesit e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, fajtore e kanë lënë kompaninë nga Serbia “Koto”, e cila sipas tyre, po kryen punë joprofesionale.

Gjatë takimit konsultativ lidhur me punimet në këtë kala, Ismet Hajrullahu, drejtor i këtij Instituti, ka kërkuar ndihmën e të gjitha institucioneve për mbrojtjen e këtij monumenti, raporton KTV.

Aty u tha se ekzistojnë dëshmi të shumta se kjo kompani ka shkaktuar dëme të pariparueshme në gjetjet e artefakteve dhe për këtë, u kërkua përgjegjësi.

Të pranishmit në këtë debat, patën mospajtime mes vete, pasi drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha tha se punimet nga kjo kompani po politizohen.

Në vitin 2015, UNESCO, pjesë e të cilit nuk është Kosova, përmes Serbisë, i kishte dhënë të drejtën për restaurim të Kalasë së Artanës kompanisë KOTO nga Beogradi.

Pas një pune 3-vjeçare, e cila ka kosto mbi 1 milion euro, kalaja ka filluar të shkatërrohet gradualisht e gjithashtu, edhe pse ishte vendosur që punimet të ndërpriten, ato janë duke vazhduar.