Kosova

Kajtazi: Shumë persona u bënë policë për lidhje politike e shumë të tjerë pasi ishin përkthyes të UNMIK-ut

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka folur nga Gjilani për vrasjen e pesëfishtë që ka ndodhur sot, ku dyshohet se një pjesëtare e Policisë së Kosovës ka vrarë prindërit dhe dy vëllezërit e saj e më pastaj edhe veten.

Kajtazi në “Dossier D” në RTV Dukagjini thotë se është shumë shqetësuese që në qytetin e Gjilanit përdorimi i armëve zyrtare në raste kriminale.

“Në Gjilan kemi rastin e tretë brenda dy viteve që përdoret arma zyrtare në raste kriminale. Para dy vitesh një zyrtarë policorë kreu vetëvrasje. Para më pak se një viti një zyrtar policor vret një qytetar dhe rasti i sotshëm kur zyrtarja policore vret familjen e saj”.

Ai thotë se sot në Kosovë mbretëron një gjendje e rëndë sociale edhe për shkak të ndërhyrjes së politikës në sistemin e drejtësisë dhe atë të sigurisë, përcjell Telegrafi.

Njohësi i çështjeve të sigurisë thotë se për shkak të mosbesimit në shtet, qytetarët marrin vetë gjyqësinë në dorë.

Kajtazi thotë se rekrutimi i zyrtarëve policor nga paslufta ka shkuar shumë keq.

“Një pjesë e zyrtarëve policorë janë bërë nga politika. Një pjesë tjetër janë bërë polici pasi kanë qenë asistentë apo përkthyes në UNMIK”.

Ai thotë se ka nevojë që në Policinë e Kosovës të ketë një reformë të thellë sidomos në pozitat komanduese.