EKONOMI

“Kafja e mëngjesit” në Prizren, bizneset me vullnet të bashkëpunojnë për interesat e tyre

OAK në vazhdën e aktiviteteve të saj “Kafja e mëngjesit me bizneset” kësaj radhe ishte e pranishme në Regjionin e Prizrenit, ku qëllim kryesor i këtij organizimi ishte që për së afërmi të bashkëbisedojnë me bizneset dhe të prezantojnë propozimet që Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka përgatitur për Qeverinë e re.

Kryetari i bordit Skënder Krasniqi shpalosi para të pranishmëve disa nga problemet më të mëdha me të cilat po përballen bizneset që OAK i ka evidentuar nga takimet e vazhdueshme me ta, e për të cilat ka përgatitur edhe propozimet se si të arrihet tek zgjidhja. Krasniqi theksoi se për këtë OAK përveç që ka organizuar konferencë për media, i ka dërguar tek të gjitha partitë politike në mënyrë që këto propozime të përfshihen në programet e tyre. Andaj, qëllimi i këtij takimi është që të diskutojnë së bashku këto kërkesa dhe të evidentojë për të tjera çështje eventuale.

Disa prej çështjeve më kryesore që preokupojnë bizneset e këtij regjioni e që u theksuan në këtë takim ishin: mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, duke theksuar që është shumë e rëndësishme që shkollat profesionale dhe mësimi dual të praktikohen në mënyrë që të kemi kuadro profesionale, kompletimi i zonës industriale në Prizren e cila nuk është funksionale, fondi zhvillimor për bizneset, transformimi i ATK-së, problemet e sektorit të transportit, alokimi i investimeve, funksionalizimi i gjykatës ekonomike, mungesa e ligjit për sigurime shëndetësore etj.

Bizneset përshëndetën iniciativën e Odës për këtë organizim dhe theksuan që është shumë e rëndësishme që të ndërtohet një partneritet i shëndoshë mes institucioneve publike dhe komunitetit të biznesit, në mënyrë që së bashku të arrijnë në tejkalimin e barrierave të cilat paraqiten gjatë operimit të tyre.

Anëtari i bordit Hysni Zogaj falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e tyre duke shtuar që OAK me përkushtim maksimal do të trajtojë të gjitha kërkesat e bizneseve.

Gjithashtu, nikoqiri i këtij aktiviteti, njëherësh edhe anëtar i bordit në OAK Hasan Gigollaj i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje duke cilësuar që ky takim ishte një takim shumë konstruktiv dhe të gjitha çështjet e ngritura do të avokohen dhe lobohet për zgjidhje.

 “Kafja e Mëngjesit” rrugëtimin e saj do ta vazhdojë në regjionin e Podujevës. /Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.