KULTURË

Kaçinari, mjeshtri i vlerave të muzikës shqipe

Emri i tij prej kompozitori ka bashkëshoqëruar qindra krijime muzikore. Për nëntëmbëdhjetë vjet me radhë ka qenë dirigjent i korit “Colegium Cantorum” të Prishtinës. I lindur në Prizren, përfaqësues i brezit të ri të muzikantëve të shkolluar, Gjergj Kaçinari ka sprovuar dhuntinë e tij krijuese në kompozime të muzikës së lehtë, asaj popullore, korale dhe për fëmijë.

Të premten paradite është bërë e ditur për ndarjen nga jeta të kompozitorit të mirënjohur. Ka qenë e bija e tij, Klorinda Kaçinari, ajo që e ka dhënë lajmin e pikëllueshëm. Ai ishte 72-vjeçar, shkruan sot Koha Ditore.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se me datën 26 dhjetor 2019, kaloi në amshim bashkëshorti, tata dhe gjyshi jonë i dashur Gjergj Kaçinari”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në Facebook.

Kolegë, miq e dashamirë kanë përkujtuar Kaçinarin për vlerat e tij krijuese përderisa është përmendur vendi i tij i veçantë në muzikën shqipe. Shumë prej tyre kanë përmendur origjinalitetin e këngëve të kompozuara prej tij si “Arabela”, “Syri yt ai qiell me shi”, “Sa fort të dashuroj”, “Këngë gishtore”, “Nëna më ka ble një kukull”, “Lules sime”, e të tjera.

Në faqen e tij zyrtare në Facebook, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar punën dhe krijimtarinë artistike të Kaçinarit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.