Pa kategori

Kabineti i Kurtit raporton në 100 ditëshin e qeverisjes, numëron sukseset dhe sfidat me të cilat është përballur

Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti, të mërkuren ka mbushur njëqind ditë të punës së saj. Ndonëse me funksione të plota i ka pasur rreth pesëdhjetë ditë, kjo qeveri po vlerësohet se ka menaxhuar mirë pandeminë Covid-19.

Ndërkohë, analistë politikë e kanë përgëzuar atë edhe për inicimin e kundër korrupsionit, në kuadër të shkarkimeve në ndërmarrjet publike.

Analisti Ramush Tahiri i ka thënë ksp-së se Qeveria Kurti gjatë këtyre ditëve nuk ka arritur ta paraqesë gjithë gamën e vet të punës. Megjithatë, ai thotë se ka disa aspekte, mbi bazë të të cilave mund të vlerësohet mirë ekzekutivi i liderit të VV-së.

“Menaxhimi i pandemisë ishte shumë i mirë, kjo qeveri ka suksese edhe për pasojat relativisht të vogla të pandemisë. Kosova pati një bashkëpunim shumë të mirë të qeverisë dhe gjithë qytetarëve. Në pjesën më të madhe u respektuan masat, të cilat në pjesën më të madhe ishin të mira dhe të domosdoshme”, thotë ai.

Ndërsa, analisti tjetër politik, Krenar Shala ka thënë se në këtë periudhë të shkurtër të qeverisjes Kurti, esenciale ka qenë luftimi i korrupsionit në aurën e saj.

“Qeveria është rrëzuar pikërisht për shkak të frikës së luftës së korrupsionit. Vet fakti që ka ekzistuar kjo frikë, i bie që qeveria ka qenë e suksesshme, jo në luftë se nuk ka pasur kohë ta luftojë, por në aurën e saj për të filluar një luftë serioze kundër korrupsionit… Mund t’i veçojmë shkarkimet në disa sektorë të shtetit, megjithatë është herët të vlerësohet, sepse jo domosdoshmërisht shkarkimi nënkupton se janë zgjidhur problemet. Por mendoj që një gjë pozitive ka ndodhur me këto shkarkime sepse e dimë që në këto 12 vite kemi jetuar me skandale korruptive gati çdo ditë”, thotë ai.

Sa i përket akuzave se kjo qeveri ka qenë antiamerikane, Shala thotë se nuk qëndrojnë, pasi sipas tij anti-amerikanizimi bazohet në udhëheqjen e shtetit në mënyrë klandestine dhe mosluftim të korrupsionit.

E këtë, Shala thotë se nuk e ka parë tek qeverisja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Anti amerikanizmi bazohet në mos-luftimin e korrupsionit, udhëheqjen e shtetit në mënyrë klandestine që nuk përkojnë në vlerat që i promovon shteti amerikan, apo ndonjë qeveri evropiane. Unë nuk kam parë tek qeveria Kurti të ketë bërë një gjë të tillë”, thotë ai.

Ndonëse janë bërë mbi tre muaj të negociatave për bashkëqeverisje midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo e fundit pas 51 ditësh bashkëqeverisje inicioi mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës për të shkarkuar qeverinë e kryeministrit, Albin Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.