SHËNDETËSIA

Kabineti i Ismailit shpenzoi 36 mijë euro në dreka, 20 mijë në telefonata

Rreth 36 mijë euro i ka shpenzuar në darka ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, bashkë me stafin e tij politik.

Kurse, kabineti i zyrtarit të PDK-së i përbërë nga 31 persona, ka harxhuar 20 mijë euro të tjera në shpenzime telefoni, raporton KTV.

Më shumë se gjysma e shpenzimeve të kësaj kategorie janë bërë në vitin 2018.

Në total, për dy vjetët e fundit, ministri ka harxhuar nga buxheti i shtetit, rreth 600 mijë euro, ku pjesa më e madhe ka shkuar për paga, rreth 445 mijë euro.

Ministri Ismaili si i vetëm ka shpenzuar rreth 2 mijë euro për telefonata.

Më shumë se njëmijë euro kanë shpenzuar edhe anëtarët e kabinetit të tij, Kushtrim Shkodra, Ardian Ferizi, Albatrit Matoshi, Granit Avdullahu dhe Besianë Musmurati.

Rreth 40 mijë euro për 24 muaj Ministria ka shpenzuar për karburante, e për këtë prin zëvendësministri në detyrë Ali Berisha.

Ministria ka blerë edhe dy laptopë, njëri ka kushtuar rreth 1 mijë euro për fotografen e Ministrisë, Rudina Hoti, dhe tjetri për Donika Bajramin, i cili ka kushtuar 510 euro.

E dhëna ndodhet në pasqyrën e shpenzimeve që Ministria e Shëndetësisë ia ka vënë në dispozicion Kohës Ditore.

Qasja në këto të dhëna është siguruar vetëm pas intervenimit të Avokatit të Popullit, institucion të cilit gazeta i ishte ankuar, pasi Ministria nuk i ishte përgjigjur kërkesës për qasje në dokumente publike të shpenzimeve të stafit politik, të bëra prej marrjes së mandatit e deri në kohën kur Kuvendi është shpërndarë.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.