EKONOMI

Ka filluar regjistrimi në e-tregu virtual

e-Tregu i gjelbër “AgromarketKS” i cili ndërlidh fermerët nga komunat Gjakovë, Suharekë, Shtërpce dhe Partesh dhe të tjerë me blerës në mbarë Kosovën tani me është gati për regjistrim. Agromarket KS është tregu i gjelbër virtual ku çdo konsumator mund të blejë pemë, perime, drithëra, bylmete dhe produkte tjera blegtorale direkt nga fermerët vendor.

Agromarket KS (www.agromarketks.com) vjen si përgjigje ndaj rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19. Ky e-treg lehtëson blerjet për konsumatorët, pasi kursen kohën e tyre dhe shmang vizitat në tregje apo markete. Gjithashtu, shpalos për konsumatorët një listë të pasur me produkte të freskëta dhe të sigurta që ata mund t’i zgjedhin për shportën e blerjeve.

“Digjitalizimi i shitjeve dhe blerjeve është proces i kohës që po jetojmë. Agromarket KS pasuron peizazhin e ekonomisë digjitale në Kosovë, lehtëson jetën e konsumatorëve dhe u mundëson fermerëve dhe bizneseve që të reklamojnë dhe shesin e produktet e tyre më lehtë dhe të arrijnë tek një numër edhe më i madh i konsumatorëve”, thotë Myesere Hoxha nga kompania Sigma BMC që udhëheq projektin i cili mundësoi zhvillimin e këtij tregu digjital.

Agromarket KS është treg virtual ku konsumatorët kanë qasje të lehtë dhe të drejtpërdrejtë në produkte të freskëta nga fermat, por edhe në produkte speciale që prodhohen në këto zona. Ai është krijuar në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht i përdorshëm nga të gjithë, pa patur nevojë për njohuri të thelluara në përdorimin e platformave digjitale.

“Ftojmë të gjithë fermerët dhe blerësit përfshirë këtu individ, hotele, restorane, supermarkete dhe konsumator tjerë të pemëve frutore dhe perimeve të regjistrohenwww.agromarketks.com dhe të fillojnë shit-blerjet. Përmes shkëmbimit në këtë e-treg, blerësit përkrahin direkt fermerët vendor dhe njëherit kontribuojnë në zhvillim të ekonomisë lokale. vazhdon Znj. Hoxha.

e-tregu “Agromarket KS” është zhvilluar në kuadër të projektit “Zhvillimi i komunitetit për përmirësim të mirëqenies dhe ndërtim të besimit” që mbështetet nga Agjencia për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Japonisë (JICA) dhe zbatohet nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 dhe kompania konsulente Sigma BMC. Projekti ka edhe mbështetjen e përfaqësuesve të shoqatave të fermerëve, qeverisjes lokale dhe OJQ-ve nga këto katër komuna, të cilët janë trajnuar gjatë tre viteve të fundit nga JICA dhe luajnë rol ndërlidhës mes fermerëve dhe projektit. /Kosova.info/