Kosova

Ka ankesa se Komisioni për verifikim e viktimave të dhunës seksuale po punon ngadalë

Për një vit të punës së tij, Komisioni për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka pranuar rreth 1,000 aplikacione.

Nga to, vetëm rreth 400 prej rasteve ka arritur t’i trajtojë ky komision, raporton KTV.

Puna e ngadalshme e komisionit, ku viktima e dhunës seksuale, nga momenti i aplikimit duhet të presë deri në një vit për t’iu njohur apo refuzuar statusi, po cilësohet si neglizhencë e punës së këtij komisionit.

Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së, thotë se ka pranuar ankesa nga shumë viktima të cilat, sipas saj, kanë shprehur zhgënjim të madh pse kanë aplikuar.

Ajo shton se ka rrezik që viktimat e tjera të heqin dorë nga aplikimi.

Por, krejt këto shqetësime po i shohin si presion, anëtarët e komisionit.

Minire Begaj, që udhëheq komisionin, thotë se kanë përgjegjësi të madhe në trajtimin e rasteve dhe për shkak të ndjeshmërisë detyrohen që të jenë shumë të kujdesshëm.

242 të mbijetuar të dhunës seksuale kanë fituar statusin e viktimës dhe gëzojnë pensionin prej 230 eurove në muaj, në mesin e tyre edhe 7 burra.

130 personave, komisioni ua ka refuzuar të drejtën për pension për herë të parë, derisa 27 të tjerëve u është refuzuar përfundimisht, por të cilët kanë të drejtë ankese përmes padisë civile.

Shfaq më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published.