Kosova

Jusuf Thaçi apelon të vaksinohen mësimdhënësit

Analisti Jusuf Thaçi iu ka bërë thirrje punëtorëve arsimorë që të vaksinohen me vaksinën anti-Covid19, raporton Express

Thaçi ka shkruar në Facebook se nëse procesi arsimor në vend nuk normalizohet në shtator të këtij viti, dëmet dhe humbjet në arsim do të jenë të mëdha dhe të parikuperueshme.

“Nëse procesi arsimor në Kosovë nuk normalizohet në këtë vit shkollor që fillon prej shtatorit 2021, atëherë dëmet dhe humbjet në arsimin e Kosovës, përkatësisht te fëmijët dhe nxënësit, do të jenë shumë të mëdha dhe të parikuperueshme (sepse bëhet viti i tretë i çrregulluar për shkak të pandemisë)”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi deklaron se e vetmja mënyrë për ta kthyer normalitetin e procesit mësimor në Kosovë, është vaksinimi para 1 shtatorit të këtij viti.

“E vetmja mënyrë për ta kthyer tërësisht normalitetin e procesit arsimor në Kosovë është vaksinimi para 1 shtatorit 2021 (mundësisht me dy doza) i të gjithë punëtorëve arsimorë që punojnë në kopshte, çerdhe e shkolla: mësimdhënësit, edukatorët, stafi udhëheqës, menaxherial e administrativ, stafi profesional jo-mësimdhënës, stafi mbështetës e teknik”, ka shkruar Thaçi.

Ai thotë se sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani është vaksinuar vetëm një përqindje e vogël e punëtorëve arsimorë.

“Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani vetëm një përqindje e vogël e punëtorëve arsimorë janë vaksinuar, pavarësisht se ka mundësi që të gjithë të vaksinohen me të dy dozat deri në fillim të shtatorit (sepse ka vaksina dhe termine për vaksinim)”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi ka apeluar te punëtorët arsimorë të vaksinohen sa më parë, që viti shkollor të normalizohet.

“Prandaj, si prind dhe si qytetar i shqetësuar për gjendjen e arsimit në vend si rezultat i çrregullimit nga pandemia, ju bëj apel të gjithë punëtorëve arsimorë në Kosovë që të vaksinohen sa më parë, para 1 shtatorit 2021, në mënyrë që ky vit shkollor në Kosovë të normalizohet!”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai deklaron se hezitimi për vaksinim nga ana e punëtorëve arsimorë është absurd.

“Skepticizmi ose hezitimi për vaksinim nga ana e punëtorëve arsimorë është absurd, sepse nuk ka kuptim që njerëzit (punëtorët arsimorë) që e kanë marrë për mision ngritjen e vetëdijes dhe mbjelljen e dashurisë për shkencën te gjeneratat e reja, vet ata të mos kenë besim te shkenca. Vaksina është shkencë!”, deklaron Thaçi.