SPORT

Joshua – Fury mund të organizohet në nëntor apo dhjetor

Promotori i Anthony Joshuas, Eddie Hearn, është shumë i vendosur për të organizuar duelin mes Joshuas dhe Tyson Furyt në nëntor apo dhjetor të këtij viti, shkruan “Daily Mail” të mërkurën, transmeton Koha.net.

Fury në fundjavë fitoi titullin e botës në peshën e rëndë në boks në versionin WBC, duke mposhtur me nokaut teknik në raundin e shtatë amerikanin Deontay Wilder. Joshua ka tre titujt tjerë të mëdhenj në boks profesionist (WBA, WBO dhe IBF).

Menjëherë janë kthyer fjalët te një super-përballje mes dy boksierëve britanikë. Por, Wilder ka njoftuar se do të aktivizojë klauzolën për një meç të tretë me Furyn në verë.

Promotori i Joshuas, Hearn i ka thënë Furyt që të nxitojë dhe të mposhtë Wliderin sërish, në mënyrë që të organizohet superpërballja me Joshuan.

“Njerëzit nuk e duan luftën e tretë. Ata kanë bërë 19 raunde mes vete, Wilderi nga ato i ka fituar vetëm tri dhe në meçin e fundit ai pësoi keq. Por, e kuptoj pozitën kontraktuale. Ai ka të drejtën për rimeç. Unë vetëm dua të them, ‘Nxitoni ju lutem’ e të mbahet sa më shpejt. Shpresojmë që të mbarohet ajo përballje e tretë dhe të largohet pengesa”, ka thënë Hearn.

Derisa Fury do të përballet me Wilderin, Joshua pritet në verë të mbrojë titujt kundër bullgarit Kubrat Pulev, kundërshtarit të detyrueshëm sipas versionit IBF.

“Ne nuk mund të kemi Furyn, kështu që do të luftojmë me Pulevin dhe do ta largojmë nga rruga. Shpresojë që Fury të largojë nga rruga pengesën e tij dhe të organizojmë meçin në nëntor apo dhjetor”, ka shtuar Hearn.