KULTURË

Joseph Roth, pjesë nga vepra “Udhëtimi në Shqipëri”: Në këtë vend askush nuk është i sigurt

Shqiptarët e qyteteve janë, sipas mendimit tim, njerëzit më frikacakë në bisedë.

Këtu kanë më pak guxim për të folur se sa për të qëlluar. Më duket se një shqiptar më përpara nxjerr pistoletën sesa të thotë mendimin e tij të vërtetë. Tutet se mos muret kanë veshë. Për të tek çdo njeri fshihet një spiun – por t’i japim hakun, këtu ka vetëm gjysmë të drejtë; sepse vetëm një në dy është spiun…

Ëndja e këtyre njerëzve për të spiunuar është po aq e madhe sa frika e tyre për të pohuar mendimin që kanë. Dhe, kaq rrallë e thonë troç atë që mendojnë, saqë me kohë ata humbasin çdo lloj opinioni të vetin dhe marrin vetëm atë të të tjerëve. Në fund të fundit, për çfarë duhet ta kesh një pikëpamje që mbetet e pathënë? Kështu, në vend të bindjes politike shfaqet ithtari, në vend të kujdesit – frika.

Në këtë vend nuk është askush i sigurt, as qeverisësi dhe as i qeverisuri. Në këtë gjendje nuk mund të ketë asnjë lloj opinioni publik – edhe sikur ai të ishte i lejueshëm.

Shqiptarët e kanë humbur nëpër shekuj çdo lloj kënaqësie në të drejtën për mendimin publik. Edhe për çështje jodykuptimëshe, ata krijojnë enigma tinëzake. Gjërat e parrezikshme nuk u shijojnë më.

(Frankfurter Zeitung, 30 korrik 1927)