KULTURË

“Joker” thyen rekordin e tetorit me 93 milionë dollarë

Los Angeles, 8 tetor – “Joker” ka çarë përpara me rekordin e ri. Pavarësisht kundërthënieve dhe shqetësimeve për çështje të sigurisë, filmi i bazuar në librin komik ka shënuar 93.5 milionë gjatë fundjavës, dhe tani qëndron si lansimi më i madh i tetorit në të gjitha kohërat. Këto shitje biletash me lehtësi kanë thyer etapën e vendosur më parë vitin e kaluar nga superheroi i Sonyt “Venom” me 80 milionë dollarë.

Nën regjinë e Todd Phillips dhe me paraqitjen e Joaquin Phoenixit, “Joker” ka qenë në qendër të vëmendjes në javët që i paraprinë shfaqjes së tij rreth frikës se rrëfimi tronditës i armikut namkeq të Batmanit mund të yshte dhunë. Megjithatë, këto shqetësime nuk kanë sprapsur filmdashësit që të shkojnë masivisht për të parë se për çfarë u bë gjithë kjo tollovi.

“Joker” ka frymëzuar valë titujsh mediatikë mbi frikën se portretizimi i një vrasësi të sëmurë mendor do të nxiste dhunë, duke shtyrë kinematë gjithandej vendit që të marrin masa shtesë të sigurisë. Policia e New Yorkut dhe Los Angelesit kanë shtuar praninë e tyre përreth multiplekseve, përderisa në disa vende janë ndaluar kostumet dhe maskat. Industria ka nisur t’i ndërmarrë këta hapa pas hapjes së zjarrit në masë në vitin 2012 në Aurora, Colorado, në mesnatën e shfaqjes së “The Dark Knight Rises”, që la 12 njerëz të vrarë dhe 70 të plagosur. Pjesëtarët e familjeve të prekura nga të shtënat në Aurora kanë folur kundër “Jokerit”.

“Joker”, ku luajnë Robert de Niro, Zazie Beetz dhe Frances Conroy, ka përvetësuar një qasje jokonvencionale në zhanrin e superheronjve. Filmi përvijon Arthur Fleckun (Phoenix), një stand-up komedian që kalon në çmenduri sapo jeta dhe karriera e tij nisin të përshkallëzohen. “Village Roadshow” dhe “Bron Studios” kanë prodhuar dhe financuar bashkërisht filmin, që siç thuhet kushtoi 55 milionë dollarë para se të merrte në konsideratë marketingun global dhe tarifat e shpërndarjes.

Me një fitore befasuese, “Jokeri” ka marrë me vete çmimin kryesor të këtij viti në Festivalin e Filmit në Venecie, ku kritikët kanë lavdëruar qasjen e Phoenixit në armikun e përbetuar të Batmanit. Këtë fundjavë audiencat i kanë dhënë filmit një B+ CinemaScore. Shfaqjet në Imax kanë pasur vlerë për 7.5 milionë dollarë në 392 vende.

Si i vetmi realizim në shkallë vendi, “Jokeri” ka marrë pjesën më të madhe të fitimeve të box office, duke fituar më shumë sesa pjesa e filmave të tjerë të top-dhjetëshes të marrë së bashku. Kampioni i fundjavës së kaluar, “Abonimable” ka zbritur në vendin e dytë, duke grumbulluar 12 milionë dollarë për një fitim të brendshëm prej 37.8 milionë dollarësh.

I treti është “Downtown Abbey” që ka mbledhur një tjetër 8 milionësh, duke bërë që shitjet e biletave në Amerikën Veriore të arrijnë në 73 milionë dollarë.

“Hustlers” ka zbarkuar në vendin e katërt me 6.3 milionë dollarë. Pas katër javësh në kinema, filmi i Jennifer Lopezit dhe Constance Wusë ka sjellë 91.3 milionë dollarë.

Në pesëshen e parë është “It: Chapter Two”, që ka mbledhur deri në 5.4 milionë dollarë pas shëtitjes së tij të pestë, duke e çuar pasuesin e tmerrshëm përtej 200 milionë dollarëve në box officet e Amerikës Veriore.

Mes titujve të tjerë, prodhimi i “Roadside Attractions” dhe “LD Entertainment”, filmi “Judy” ka grumbulluar 4.4 milionë dollarë kur është shfaqur në 1.458 kinema/“Variety.com”.