Bota

Johnson shpreson që të gjitha kufizimet të hiqen më 21 qershor

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se ishte shumë optimist që të gjitha kufizimet për shkak të pandemisë së koronavirusit do të hiqeshin më 21 qershor, duke shtuar se qeveria e MB do të rishikonte përdorimin e certifikatave të vaksinimit.

Johnson dje zbuloi një hartë të daljes nga bllokada për Anglinë, sipas së cilës disa biznese do të qëndrojnë të mbyllura deri në verë, duke thënë se nevojitet kujdes për të siguruar që të mos ketë ndryshim në “rrugën njëkahëshe drejt lirisë”.

  • Shpresoj që po, por padyshim që asgjë nuk mund të garantohet. Unë jam shumë optimist se do të jemi në gjendje ta arrijmë atë – tha Johnson kur u pyet rreth 21 qershorit si datën e caktuar për heqjen e kufizimeve.

Me gati 130,000 vdekje, MB është e pesta në botë në numrin e viktimave COVID-19 dhe ekonomia e saj ka përjetuar rënien më të madhe në më shumë se 300 vjet.

Por në dy muajt e fundit, Britania ka arritur të sigurojë një dozë fillestare të vaksinës për më shumë se një të katërtën e popullsisë, e cila është më e shpejta nga të gjitha vendet kryesore.

Hapja do të diktohet nga të dhënat

Disa nga Partia Konservatore e Johnson po pyesin nëse orari i rihapjes mund të ketë qenë më i shpejtë, duke pasur parasysh suksesin e futjes së vaksinave të Britanisë deri më tani.

Më parë, Ministri i Shëndetësisë Matt Hancock tha se siguria ishte një përparësi.

“Ne të gjithë jemi plotësisht të vendosur për të dalë nga kjo shpejt dhe sa më sigurtë që të jetë e mundur, por jo më shpejt se kaq,” tha Hancock.

Udhërrëfyesi tregon se kufizimet në klubet e natës dhe ngjarjet kryesore do të hiqen për herë të fundit më 21 qershor, megjithëse qeveria theksoi se rihapja do të diktohet nga të dhënat, jo nga datat.

Çështje etike

Johnson gjithashtu tha se Ministri Michael Andrew Gove do të drejtojë procesin e analizimit të aspektit “shkencor, moral, filozofik dhe etik” të çështjes së çertifikimit, dmth çertifikatat e vaksinimit për ata që kanë marrë vaksinën e koronavirusit, e cila mund të lehtësojë rihapjen e argëtimit dhe objektet hotelierike.

“Ka çështje të thella dhe komplekse që ne duhet t’i shqyrtojmë, çështje etike në lidhje me rolin e qeverisë në detyrimin e të gjithë njerëzve për t’u vaksinuar,” tha Johnson.

Ai deklaroi se Qeveria nuk duhet të jetë diskriminuese ndaj njerëzve të cilët, për çfarëdo arsye, nuk mund të bëjnë vaksinën.

  • Mund të ketë arsye mjekësore pse njerëzit nuk mund të bëjnë vaksinën. Disa njerëz me të vërtetë nuk e duan vaksinën – shtoi ai.