SHËNDETËSIA

Joga për sy mund të përmirësojë dukshëm të parët dhe forcon muskujt e syve!

Leo Angart, krijuesi i metodës “Sytë magjikë” është trajner ndërkombëtar, më i famshmi për punën në kthimin e të parit te fëmijët

Ai thekson që me këto ushtrime është e mundshme të lirohemi nga problemet të cilat i sjell teknologjia moderne, transmeton Telegrafi.

Një ndër ushtrimet të cilat i rekomandon është fokusimi në objekte.

Fokusoni shikimin tuaj më parë në objekt të largët, pastaj në atë i cili ju gjendet në afërsi. Të njëjtin ushtrim përsëriteni, mirëpo në atë mënyrë që të shikoni vetëm me njërin sy.

Shikimi në gjelbërim

Qëndrimi në natyrë dhe fokusimi i shikimit në gjelbërim i cili gjendet në rrethinë mund të pushojnë sytë.

Leo Angart ka bërë revolucion të vërtetë kur e ka prezantuar programin me titull “Sytë magjikë” apo joga për sy.

Qe se për çfarë është fjala:

Pozat për shikim mund të ndihmojnë në zbutjen e simptomave të “syrit kompjuterik”, zvogëlon shpeshtësinë e dhembjes së kokës dhe do të qetësojë muskujt e syve.

Syve u është e nevojshme errësira për t’u përmirësuar nga drita e kompjuterit.

Ushtrimi më i njohur për sy është ai me shuplaka. Qe se si bëhet:

• Duart më parë ngrohni duke i fërkuar apo nën vrushkullin e ujit të ngrohtë.

• Mbyllni sytë, mbuloni sytë me shuplaka, por që të mos i shtypni dhe gishtat e mëdhenj të dorës le të jenë lehtë të mbështetur në tëmbla.

• Hapni sytë që të bindeni që me duar në tërësi keni bllokuar dritën. Mbyllni sërish. Qetësohuni dhe merrni frymë thellë.

• Përpiquni të imagjinoni errësirën e plotë qetësuese.

Kur ta bëni këtë ushtrim është me rëndësi që të uleni me shpinën drejt, në dysheme apo në karrige. 

LITERAL.MEDIA

Hulumtime

Rritet numri i deponive ilegale të mbeturinave

Përkundër investimeve, masave dhe fushatave, trendi i krijimit të deponive ilegale është në rritje nga viti në vit. Numri i madh i deponive ilegale të mbeturinave vazhdon të jetë një ndër problemet më të mëdha në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe raporti i fundit i publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, me mbështetjen e Organizatës Gjermane për Shoqëri të Hapur – GIZ. Sipas Raportit ”Menaxhimi i Mbeturinave Komunale në Kosovë”, në vitin 2019 janë identifikuar 2529 deponi ilegale të mbeturinave. Ky numër është për 957 më i madh krahasuar me vitin 2017. Nga 2529 deponi ilegale që janë identifikuar, sipas vlerësimit, 39% janë deponi të mëdha, 32% janë deponi të mesme, ndërsa 29% janë deponi të vogla. Sipas llojit të mbeturinave, 49% e deponive ilegale janë nga mbeturinat komunale, 37% janë nga mbeturinate ndërtimit dhe demolimit, 7% janë nga mbeturinate rrezikshme dhe industriale, 4% janë nga mbeturinat e vëllimshme dhe 6% janë nga mbeturinat tjera. Sipas të dhënave të prezantuara në raport, rajoni i Gjakovës e ka numrin më të vogël të deponive ilegale (118), ndërsa rajoni i Prishtinës e ka numrin më të madh të deponive ilegale (582). Raporti vlerëson se mesatarja e gjenerimit të mbeturinave komunale për kokë banori në Kosovë është 0.78 kg/banorë/ditë, ndërsa shkalla e mbulueshmërisë me shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në nivel të vendit është rreth 71%. Shkalla e ndarjes së mbeturinave në burim mbetet ende në nivel të ulët me vetëm 6.8 % të amvisërive që kanë qasje në këtë shërbim.Në kuadër të gjetjeve kryesore raporti thekson se numri i deponive ilegale është në rritje nga viti në vit dhe se rritja e shkallës së mbulimit me shërbim dhe se fushatat e pastrimit të deponive ilegale nuk mjaftojnë për të ndalur trendin e krijimit të deponive të reja ilegale. Brengos fakti se në uljen e numrit të deponive ilegale nuk kanë dhënë rezultate masat e ndërmarra nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e as investimet e donatorëve. Rikujtojmë se gjatë vitit të kaluar me qëllim të reduktimit të numrit të deponive ilegale, në Kosovë ishte realizuar fushata “Ta pastrojmë Kosovën”, e mbështetur nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, projekt ky në vlerë rreth 800 mijë euro. Organizata “Let’s Do It Kosova”, si implementuese e projektit kishte raportuar se gjatë tre muajve të implementimit të projektit (15 shtator 2018 – 15 dhjetor 2018), ishin angazhuar mijëra vullnetarë, dhe ishin larguar 803 deponi ilegale në të gjithë Kosovën. Në mbështetje të aktiviteteve për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave ishin ndarë edhe grante për komunat më aktive dhe më të suksesshme. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bashkë me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar “GIZ” dhe Zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë, në fillim të këtij viti kishin lansuar grantin 7 milionësh për menaxhimin e mbeturinave. “Projekti Granti i Performancës – Mjedisi i Pastër”, ishte lansuar për të përkrahur komunat që tregojnë performancë të mirë sipas kritereve të caktuara, duke u nisur nga zbatimi i legjislacionit në fushën e menaxhimit të mbeturinave, hartimi dhe miratimi i planeve menaxhuese të mbeturinave, zbatimi i udhëzimit për ndëshkime me gjoba mandatore, eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave, krijimi dhe mirëmbajtja e zonave të gjelbra, ofrimi i shërbimeve cilësore në fushën e menaxhimit të mbeturinave si dhe mbledhja dhe riciklimi i mbeturinave. Rezultatet e pritura për të parandaluar krijimin e deponive të reja ilegale nuk dha as fillimi i zbatimi të Udhëzimit Administrative për ndëshkime me gjoba mandatore (UA MMPH Nr. 06/2018). Organizata “Let’s Do It Kosova” si monitoruese e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore, duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror, në shtator të këtij viti kishte raportuar se:“gjatë muajve korrik dhe gusht ishin shqiptuar 310 gjoba gjithsej që shënonte një trend në rritje të shqiptimit të gjobave krahasuar me muajt maj-qershor, me 243 gjoba gjithsej”. Raporti Menaxhimi i Mbeturinave Komunale në Kosovë, krahas vlerësimeve dhe gjetjeve jep edhe disa rekomandime për përmirësimin e gjendjes së menaxhimit të mbeturinave. Mes tjerash raporti rekomandon që:Niveli lokal duhet mbështetur në plotësimin e kapaciteteve teknike për mbulim të gjithë territorit me shërbim të grumbullimit dhe transportit të mbeturinave.Për të mundësuar zhvillim të balancuar donatorët apo qeveria duhet mbështetur ato komuna apo rajone që janë më mbrapa në realizim të detyrimeve ligjore në menaxhim të mbeturinave.Duhet komunikim më i shpeshtë dhe me strategji me qytetarët lidhur me detyrimet ligjore të ndotësve, parimeve të vendosura me ligj dhe në veçanti ndotjen e mjedisit e pasojat afatgjata të këtyre veprimeve.Komunat duhet të mbështeten edhe në procesin e ndarjes së mbeturinave në burim dhe drejt ekonomisë qarkore.

Komuna e Obiliqit shkel ligjin në rastin e tenderit për hartimin e hartës zonale

Komuna e Obiliqit ka shkelur ligjin për prokurimin publik me rastin e dhënies së tenderit për ‘ Hartimin e Hartës zonale të komunës së Obiliqit’. Kjo shkelje e ligjit është evidentuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) me rastin e ankesës së operatorit ekonomike ‘INSI’ shpk Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘ Hartimi i Hartës zonale të komunës së Obiliqit’., nr. prok: 19 -4718-2-2-1 , inicuar nga Autoriteti kontraktues, Komuna e Obiliqit. Në vlerësimin e tij, Paneli Shqyrtues i OSHP-së konstatoj se: AK gjatë ndarjes së shpalljes së këtij tenderi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Planifikim Hapsinor konkretisht me nenin 11 pika 1.5 ku thuhet: ‘Hartimin e Hartës Zonale të Komunës, në përputhje me Hartën Zonale të Kosovës dhe normat teknike të planifikimit hapësinor, nëntë (9) muaj pas miratimit përfundimtar të Planit Zhvillimor Komunal’.

Ekosistemet e lumenjve malorë të Kosovës po shkatërrohen nga hidrocentralet!

Ka pasur disa hulumtime dhe vlerësime nga institucionet qeveritare dhe jo qeveritare që merren me mbrojtjen e natyrës që e kanë bërë të qartë se ndërtimi i hidrocentraleve në zonat e mbrojtura e dëmton rëndë biodivesitetit, ka efekte shkatërruese për ekosistemin përreth, e prish regjimin ujor të zonës dhe është në kundërshtim me konceptin e zonave të mbrojtura të natyrës. Një nga këto hulumtime është edhe studimi i realizuar nga koalicioni i organizatave Balkan Green Foundation dhe INDEP, i publikuar në mars të këtij viti. Ky hulumtim me titull “Hidrocentralet në Kosovë, problemet dhe potenciali i tyre real” ka konstatuar se: “Shumica e hidrocentraleve të vogla ekzistuese dhe ato të planifikuara gjenden në brendi të zonave me rëndësi të veçantë natyrore si parqe kombëtare, rezervate strikte të natyrës, zona të veçanta të mbrojtura, dhe zona me veçori të shumta relikte dhe endemike të florës, vegjetacionit, faunës, habitateve natyrore, bimore dhe shtazore. Kjo paraqet rrezik të madh që këto zona të dëmtohen përgjithmonë dhe të degradohen peizazhet natyrore e burimet ujore të vendit”. Në kuadër të problemeve kryesore mjedisore që vijnë nga hidrocentralet sipas këtij hulumtimi janë: shkatërrimi dhe modifikimi i habitateve natyrore, eriozioni i tokës, dëmtimi i pyjeve dhe natyrës, tharja e lumenjve, ndotja e ujit për shkak të punimeve dhe ndotja e mjedisit gjatë mirëmbajtjes. Një nga rekomandimet kryesore që vjen nga ky hulumtim kërkon që: “Hidrocentralet të mos përdoren për qëllime të thjeshta afariste, por të merren parasysh standardet mjedisore e evropiane dhe kërkesat e zhvillimit të qëndrueshëm”. Lidhur me këtë çështje ka pasur hulumtime që janë realizuar edhe nga organizatat ndërkombëtare. Një hulumtim i tillë për hidrocentralet në zonat e mbrojtura në vendet e Ballkanit është realizuar nga organizata EURONATUR. Ky hulumtim ka nxjerrë disa konkluzione të cilat flasin qartë për ndikimin negativ të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. Mes tjerash në hulumtim thuhet se:“Fakti që 32% e të gjitha projekteve të reja hidroenergjetike ne Ballkan, janë planifikuar në zonat e mbrojtura strikte dhe rreth 17% në kategoritë tjera të zonave të mbrojtura tregon se kjo praktikë është në kundërshtim me udhëzimet dhe masterplanet për hidrocentralet, të cilat i konsiderojnë zonat e mbrojtura si zona të pa prekura.Hidrocentralet e planifikuara janë të fokusuara kryesisht në lumenj të cilët shtrihet në zona me vlera të larta ekologjike” thuhet në hulumtim. Hulumtimi vë në spikamë po ashtu edhe faktin se hidrocentralet janë kërcënim jo vetëm për zonat e mbrojtura por edhe në zonat tjera përreth: “ Hidrocentralet në zonat e mbrojtura, do të sjellin përkeqësim të habitateve dhe do të kenë ndikime të forta në pellgun e lumit në tërësi, si dhe pjesët e poshtme të lumenjve, duke përfshirë luginat dhe fushat ku shtrihen edhe zonat potenciale për Natura 2000. Rezultatet dhe praktikat dëshmojnë se në Parqet Kombëtare zhvillimi i hidrocentraleve është një kërcënim i vazhdueshëm, jo vetëm për zonat e vetë parkut, por edhe për zonat përreth”, thotë hulumtimi. Në kuadër të rekomandimeve dhe të gjeturave kyçe studimi kërkon që:’Ndërtimi i hidrocentraleve brenda zonave të mbrojtura duhet të bëhet në bazë të studimeve përkatëse, të cilat po ashtu sugjerojnë qe edhe hidrocentralet e vogla nuk janë të pranueshme si një zgjidhje e qëndrueshme”. Dje (29 shtator) u shënua dita botërore e lumenjve që kishte për qëllim sensibilizimin për mbrojtjen e këtyre ekosistemeve. Anë e mbanë botës në përkrahje të kësaj dite u organizuan aktivitete të ndryshme që kishin si synim të vinin në dukje kërcënimin me të cilin po përballen lumenjtë dhe të nxisnin veprime për përmirësimin e gjendjes së tyre. Një nga problemet që u vu në dukje edhe kësaj radhe ishte mbrojtja e ekosistemeve të lumenjve malorë. Për dallim nga lumenjtë që shtrihen në zonat urbane që janë të kërcënuar kryesisht nga ndotja për shkak të shkarkimeve të ujërave urbane dhe industriale, lumenjtë malorë janë të kërcënuar kryesisht nga ndërtimi i hidrocentraleve. Problemi i kërcënimit të lumenjve malorë nga ndërtimi i hidrocentraleve është aktual edhe në Kosovë. Kosova ka disa lumenj që shtrihen në zona të thella malore me rëndësi për biodiversitetit. Më të rëndësishmit padyshim janë lumenjtë që shtrihen në Parkun Kombëtar “Sharri” dhe në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Në Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës (Ligji Nr.03/L 233) në nenin 11, specifikohen qartë aktivitetet qe lejohen në Parqe Kombëtare. Në pikën 3 thuhet se: “Në parkun kombëtar lejohen vetëm punët dhe veprimtaritë me të cilat nuk rrezikohet natyra burimore”, ndërsa në pikën 4 thuhet se “ në parkun kombëtar ndalohet shfrytëzimi ekonomik i të mirave të natyrës”. Me rastin e hidrocentraleve që konsiderohen si veprimtari ekonomike që rrezikojnë biodivesitetin e parqeve kombëtare, këto dispozita nuk janë respektuar nga MMPH. Paralajmërime për ndikim negative në mjedis nga ndërtimi i hidrocentraleve kanë ardhur edhe nga Parlamenti Evropian dhe Konventa e Bernës, ku është vënë në dukje fakti së hidrocentralet po shkatërrojnë ekosistemet e lumenjve malorë, duke paralajmëruar se tharja e lumenjve do të ketë pasoja fatale për mjedisin, dhe veçanërisht biodiversitetin. Ndërtimi i hidrocentraleve nuk është në harmoni as me kërkesat që parasheh Ligji për Ujërat e Kosovës (Ligji 04/L-147), për përparësitë e shfrytëzimit të ujerave. Ky ligj në nenin 28 rregullon përparësitë e shfrytëzimit të ujërave duke renditur prodhimin e energjisë si prioritetin e katërt pas furnizimit të popullatës me ujë të pijes, përdorimit për bujqësi dhe përdorimit në industri. Në rastin e ndërtimit të hidrocentraleve nuk janë marrë për bazë kërkesat e komunitetit për shfrytëzimin e këtyre resurseve. Në kundërshtim të këtyre aktiviteteve shkatërruese kanë dalë edhe organizatat joqeveritare dhe banorët lokal. Fillimisht ishin protestat e organizuara kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Grykën e Deçanit dhe në Grykën e Rugovës në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” e më vonë edhe protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve në rrjedhën e lumenjve Lepenci dhe Lumëbardhi në Parkun Kombëtar “Sharri”. Edhe më të rëndë e bëjnë situatën faktet që flasin se këto hidrocentrale ishin ndërtuar apo kishin nisur punimet për ndërtimin e tyre pa i plotësuar kushtet ligjore dhe administrative dhe pa u pajisur me leje përkatëse. Problemi ishte ngritur edhe në nivel të Qeverisë së Kosovës, çka bëri që MMPH të detyrohej që gjatë vitit 2018 të merrte vendim të përkohshëm që të bllokonte procesin e leje dhënies dhe ndërtimit të hidrocentraleve deri sa të bëhej një studim i detajuar për ndikimet e tyre. Këto ditë çështja e këtij vendimi është aktualizuar sërish pasi që u raportua që ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kishte vendosur ta heqë bllokadën për hidrocentrale pa u plotësuar kushtet që kishin çuar në bllokimin e procedurave për hidrocentrale që po i shkatërronin lumenjtë. Çështja e hidrocentraleve ka qenë edhe temë e debateve edhe gjatë fushatës zgjedhore, mirëpo nuk ka pasur ndonjë qasje të veçantë për zgjidhje dhe nuk është përfshirë në programet e partive politike. Sidoqoftë, çështja e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura do të mbetet një nga sfidat që kërkon zgjidhje të qëndrueshme nga qeveria e ardhshme e Kosovës, që pritet të dalë si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetori. Për më shumë: Studimi: Hidrocentralet në Kosovë, problemet dhe potenciali i tyre real Studimi: Hidrocentralet në zonat e mbrojtura të Ballkanit

Leave a Reply

Your email address will not be published.