Bota

Joe Biden i heshtur

Bota mund të qetësohet, sepse e di fort mirë se presidenti i ardhshëm i mundshëm i Shteteve të Bashkuara është politikan me zemër

(Foreign Policy) – Njëzet vjet më parë intervistova këshilltarët e lartë të politikës së jashtme të presidentit të atëhershëm, George W. Bush, dhe nxora përfundimin se politika e jashtme e Bushit do të ishte thelbësisht “realiste”, megjithëse njëherësh e linjës së ashpër dhe e njëanshme. Dhe e tillë mbase do të ishte nëse terroristët nuk do ta sulmonin Qendrën e Tregtisë Botërore.

Dhe sikurse kishte thënë bujshëm dikur kryeministri britanik, Harold Macmilan, kur ishte pyetur se çfarë e përcaktonte politikën e tij të jashtme: “Zhvillimet, i dashur djalosh, zhvillimet”. Por kjo është vetëm gjysma e përgjigjes për shkak se ndikimin më të madh transformues do ta kishin sulmet terroriste të një ngjarjeje të veçantë – të 11 shtatorit 2001 – te një lider i veçantë – një njeri i papërvojë i prirë nga sensi evangjelik i tij misionar – që do të rezultonte me luftën kundër terrorit dhe “agjendën e lirisë”.

(Pa)Parashikimi

Ana e pashmangshme e zhvillimeve të paparashikueshme, qoftë Lufta e Parë Botërore ose gjenocidi në Ballkan, apo pandemia e koronavirusit, kërkojnë urtësi të madhe prej çdokujt që shpreson se do të parashikojë politikën e jashtme të një presidenti të ri, sikurse kam bërë unë gjatë muajve të fundit në rastin e presidentit të mundshëm, Joe Biden. Politika e brendshme ofron më shumë mundësi se politika e jashtme për parashikim. Dhe mu për këtë arsye, sekush duhet të mendojë jo vetëm për rrjedhën, por edhe për timonierin. Dhe cila është intuita e tij për botën? Sa ka mundësi që presidenti i mundshëm do të reagojë kundrejt zhvillimeve të papritura?

Në këtë drejtim, Joe Biden është ana e kundërt e George W. Bushit. Bideni ka pasur hise në politikën e jashtme amerikane pothuajse qe gjysmë shekulli; njohuritë e tij për politikën e jashtme janë formësuar dhe kufizuar prej përvojës së gjatë në politikë.

Bideni nuk është intelektual e studiues politike, megjithëse lexon dhe flet me shumë njerëz të kësaj fushe. Ai ka një pragmatizëm të zhvilluar për zhvillimet dhe ia del të rezonojë kundrejt opinionit publik. Prej se ia doli të zgjidhej në Senat më 1973, pikëpamjet e Bidenit asnjëherë nuk kanë devijuar shumë prej diskursit qendror të Partisë Demokratike. Megjithatë, temperamenti i tij dhe koha e gjatë në politikën qendrore kanë përcaktuar qëndrime të caktuara të dalluara./Koha.net

Leave a Reply

Your email address will not be published.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483