Kosova

Jevtiq: 51 familje të komuniteteve RAE janë kthyer në Kosovë, ua kemi siguruar të gjitha kushtet

Për familjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Kosova ka siguruar të gjitha kushtet. Ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq ka thënë se këto familje mund të kthehen në Kosovë.

Gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve, Jevtiq ka thënë se askush nuk guxon që këtyre familjeve t’ua ndalojë kthimin në Kosovës.

Deputeti Albert Kinolli është shprehur i shqetësuar lidhur me gjendjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ai ka thënë se përkundër përpjekjeve këto komunitete janë më të margjinalizuarat në Kosovë.

“Mendoj që nuk janë zgjidhje pakot ushqimore dhe higjienike por kanë nevojë për përkrahje të qëndrueshme, kisha propozu që njerëzve të mos u mohohet e drejta të kthehen në vatrat e tyre. Përmendët disa familje me keqardhje po them ju përmendët familje qe nuk dëshirojnë të kthehen cila është arsyeja pse nuk duan të kthehen sa është numri i tyre dhe cilave komuna u takojnë. Nëse keni mundësi buxhetore që për romët t’iu dilni në ndihmë me aq sa keni mundësi buxhetore t’i pajisni me tabletë apo laptopë. Ku fëmijët tanë ende rrinë tek semaforët dhe pastrojnë xhama të automjeteve. Të rritet buxheti në mënyrë që të japim kontribut të përbashkët në përmirësimin e jetës së komuniteteve tona”, ka thënë Kinolli.

Ndërkaq ministri për Dalibor Jevtiq ka thënë se 51 familje të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian janë kthyer në Kosovë dhe atyre u janë siguruar kushtet për jetesë.

“Kur thoni ndihma nuk është e mjaftueshme normal që nuk është dhe nuk do të jetë. Kur flasim për përfaqësuesit e komunitetit rom menjëherë kemi reaguar dhe në atë aspektin ligjor, nuk kemi qenë të obliguar të reagojmë. Për 51 familje RAE të cilët janë kthyer nga Maqedonia dhe Mali i Zi dhe nuk kanë pasur ku të kthehen, kemi siguruar banim dhe ua kemi paguar qiratë për një vit”, ka thënë Jevtiq.

Ndërkaq deputeti, Elmi Reçica, ka thënë se Kosova është e ndërtuar dhe komunitetet shumicë dhe joshumicë e bëjnë këtë shtet.

“Unë e di që edhe ministria ka pasur suksese të jashtëzakonshëm në shume komuna qe janë përcjellë me investime dhe infrastrukturë. Çdo investim nënkupton që po i kryejmë detyrat tona. Të përqendrohemi shumë më shumë në realizimin e asaj që janë të përcaktuara si detyra dhe obligime. Kërkoj që në këto rrethana vërtetë ne ato komuna ku shqiptarët janë pakicë të kujdeseni më shumë se herët tjera. T’i japim një shtytje proceseve që varen nga ju si ministër. Meqë nesër e kemi një debat për shqiptarët në Mitrovicë t’i kushtoni rëndësi më të madhe asaj pjese”, ka thënë ai.