Tjera

“Janë arrestuar krejt partia”, nga PSD’ja i reagojnë Haxhi Avdylit

Zyrtarja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuqi, i ka reaguar deputetit nga lista ‘Guxo’, Haxhi Avdylit, pasi ky ironizoi me numrin e anëtarëve të të PSD’së, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Kuqi ka thënë se Avdyli është marrë me numra, meqenëse nuk ka pasur se çfarë të thotë për aksionin e tyre ose s’ka guxuar.

“Haxhi Avdyli s’paska pasë çfarë të thotë për aksionin tonë sepse ose nuk di ose nuk guxon, e qenka marrë me numra.  Fillimisht, nuk ka rëndësi a bëhet kritika nga 4 persona, nga 200 apo 500. E rëndësishme është përmbajtja e saj”, ka thënë Kuqi.

Tutje, ajo ka deklaruar se Haxhiu vjen nga një joparti, meqenëse ende është pjesë e vetëm një liste.

“Pastaj, Haxhiu vjen nga një joparti. Ai është ende pjesë vetëm e një liste, e ashtuquajtur “Guxo”, e që s’patën guxim as të kandidojnë të vetëm. Tash s’po kanë guxim as me folë nga nënsqetulla e autokratit Kurti. Lëri Haxi numrat se kur flasim për numrat, ka shumë për t’u thënë!” ka shkruar Kuqi.

Ndryshe, deputeti nga lista ‘Guxo’, e cila është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Haxhi Avdyli ka ironizuar me numrin e anëtarëve të PSD’së.

Këtë e ka bërë teksa ka komentuar aksionin e tyre simbolik në objektin e Kuvendit të Kosovës, tek emisioni ‘dPt te Fidani’ në T7, shkruan Gazeta Express.

 “Më vjen keq për PSD’në që janë arrestuar krejt partia, 4 persona”, ka thënë ai.

Tutje, Avdyli ka thënë se ata po tentojnë ta kopjojnë Lëvizjen Vetëvendosje, por që nuk po ia dalin.

 “Ata po mundohen me e imitu Albin Kurtin, por nuk po i bijnë ato tesha. PSD po mundohet me e imitu një Vetëvendosje të kalume, por nuk po i bijnë këto tesha. Ata janë duke u mundu me mbijetu, por i ka kuptu populli, kur u ndajtën”, ka thënë ai. /Gazeta Express/