Kombëtare

Jakupi kritikon Qeverinë për mungesë të barnave në Kamenicë, pretendon fitore në balotazh

Kandidati nga radhët e AAK-së për kryetar të komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, ka drejtuat akuza në drejtim të ekzekutiv, duke thënë se nuk po dinë ta menaxhojnë pandeminë.

Jakupi tha se sfidë tjetër në kohë pandemie, është edhe mungesa e barnave në këtë komunë.

“Kemi punuar në kohë pandemie dhe jemi munduar si komunë t’i suportojmë shumë familje me pako higjienike dhe pako shëndetësore dhe ndihma në ushqim. Edhe kemi arritur me menaxhuar si komunë bajagi mirë. Dhe kur flasim për vitin 2021 Qeverisë i ka rrjedhur prej dore kjo punë dhe nuk është duke ditur ta menaxhojë pandeminë. Edhe depot për furnizim me barna për QMF dhe spitalet janë të zbrazëta dhe kjo situatë me pandeminë kur nuk ka kontrata të furnizimit me to reflekton edhe në Kamenicë në Qendrën e Mjekësisë Familjare që ne nuk mund t’i suprtojmë me të gjitha barnat e nevojshme”.

Madje Jakupi është shprehu i bindur se është kandidati më serioz për këtë komunën.Sipas tij, hapi i parë që do të ndërmarrin do të jenë projektet që i kanë vendosur në buxhetin e Kosovës, duke theksuar qe qeveria aktuale i ka shtyrë dhe prishur memorandumet.

Sipas tij, Kamenica i ka premisat e zhvillimit ekonomik nëpërmjet bujqësisë dhe turizmit, mirëpo parakusht kryesor do të jetë infrastruktura.

“Unë jam i bindur që jam kandidati më serioz për komunën e Kamenicës. Me faktin që AAK-ja dhe unë si kryetar i degës jemi ekipe të dëshmuara në qeverisjen komunale. Unë në të kaluarën isha drejtor i Shërbimeve Publike në institucionet në mandatin e kaluar tani jam në pozitën e nënkryetarit në komunë por që ekipi im ka bërë punë të mëdha”.

“Hapi i parë që do të ndërmarrë është që t’i qëndrojmë mbrapa projekteve të cilat i kemi vendosur në buxhetin e Kosovës e që kjo qeveri aktuale i ka shtyrë i ka prishur memorandumet me ne. Këtu flitet për shumë rrugë të malësisë së Kamenicës dhe rrugë lokale në Kamenicë për asfaltimin e tyre. Unë besoj që do të mund ti realizojë duke u qëndruar mbrapa projekteve që tani më i kemi dorëzuar në Qeveri dhe që nuk kanë gjetur zbatim. Kamenica i ka premisat e zhvillimit ekonomik nëpërmjet bujqësisë dhe turizmit. Por parakusht kryesor është edhe infrastruktura.Ne kemi punuar bashkërisht me kryetarin e kaluar dhe kemi realizuar shumë projekte por që këto projekte fatmirësisht në dy vjet e qeverisë Haradinaj e kemi parë produktin e saj dhe njëkohësisht në kohën e qeverisë Haradinaj. Realisht ne si aleancë kemi mundur ti realizojmë disa projekte që kanë tentuar me vjet të tëra e që na i kemi përfunduar në këtë mandat”.

Jakupi thotë se garën e 17 tetorit do ta fitojë përmes balotazhit, raporton EO.

“Jam shumë i bindur që po. Dashtë zoti që ne të arrijmë të futemi balotazh dhe kemi partneritet me të gjitha partitë e tjera politike dhe jemi në harmoni të mirë por që gara e 17 tetorit do të jetë garë determinuese e partneritetit bashkë”, tha ai.