Kosova

Jakshiqi krahason Listën Serbe me “një parti të viteve të ’30-ta në Gjermani”

Politikani nga veriu i Kosovës dhe deri kohë më parë anëtar i partisë Iniciativa Qytetare – Liri, Demokraci, Drejtësi (SDP e Oliver Ivanoviqit të vrarë), Marko Jakshiq i tha gazetës “Vreme” të Beogradit se nën dominimin e Listës Serbe nuk ka kurrfarë jete politike dhe veprimi i saj na kujton në veprimet e “një partie shumë të fuqishme dhe me ndikim të viteve të tridhjeta në Gjermani”, duke aluduar qartë për Partinë naziste të Hitlerit, rikujton Koha.net.

Jakshiq, i cili braktisi SDP-në e Ivanoviqit pas vendimit që kjo Iniciativë të dalë në zgjedhjet 6 tetorit në Kosovë me Listën Serbe, i pyetur si duket jeta politike nën dominimin e Listës Serbe, u përgjigj se nuk ka kurrfarë jete politike.

“Këtu nuk ka pluralizëm politik, as që lejojnë ata hapësirë për çfarëdo mendimi ndryshe, madje as për temat e çështjet lokale, dhe se në veprimet e saj udhëhiqen nga maksima “Ose je me ne, ose hesht dhe nuk ekziston”, ka thënë Jakshiq.

është shprehut Jakshiq, ajo që kanë planifikuar dhe synuar ta arrijnë me SDP-në e Ivanoviqit të ndjerë me listën “unike” është përpjekje për t’ia zënë frymën kësaj hapësire të fundit të shumëllojshmërisë dhe veprimeve ndryshe, që kishte mbetur pas vrasjes së liderit të kësaj Iniciative, Oliver Ivanoviqit.

Që pas daljes në skenë politike të Listës Serbe, ndër serbët në Kosovë, në Mitrovicën e veriut janë vrarë që të dy kandidatët opozitarë për kryebashkiakë, Oliver Ivanoviqi dhe Dimitrije Janiqijeviqi, për ç’arsye në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryebashkiakë në maj nuk pati asnjë kundërkandidatë ndaj përfaqësuesit të kësaj Liste” i tha “Vremes” Jakshiq.

I pyetur për motivet e braktisjes së pozitës së anëtarit të Kuvendit e pastaj edhe të SDP-së, Jakshiq u përgjigj se fytyra dhe dinjiteti janë diçka që nuk kanë çmim.