SPORT

Ja si votuan nga Kosova dhe Shqipëria për ‘Topin e Artë’

Leo Messi i “tregoi targën” Cristiano Ronaldos të hënën në mbrëmje. Ylli argjentinas fitoi të gjashtin “Top të Artë” në karrierë, duke e lënë rivalin e vet më të madh një hap mbas.

Kapiteni i Barcelonës bëhet rekordmen në këtë drejtim, ngjitet në “Olimpin” e futbollit botëror të të gjitha kohërave.

Messi është vlerësuar më shumë se rivalët e tjerë nga gazetarët sportivë. Ndër ta, të drejtë vote kanë pasur edhe dy shqiptarë, nga Tirana e Prishtina.

Për Shqipërinë ka votuar Besnik Dizdari, i cili ka përzgjedhur CR7 si të parin, Virgil Van Dijk të dytin dhe fituesin, Lionel Messi, të tretin. Dy të votuarit e tjerë në pesëshen e Dizdarit janë dy kampionë Europe me Liverpool: Alisson dhe Mohamed Salah.

Nga Kosova, të drejtë vote për këtë çmim ka pasur Bajram Shala i RTV 21. Për të, më i miri është Lionel Messi. Pra, ka goditur në shenjë me fituesin përfundimtar, që u shpall mbrëmë në Paris.

Të dytin ka zgjedhur Cristiano Ronaldon, ndërsa podiumin e kompleton me Mohamed Salah. Më tej, të katërtin ka votuar Bernardo Silva (Manchester City) dhe të pestin Firmino (Liverpool)./

Leave a Reply

Your email address will not be published.