Kosova

Ja pse reagon Vetëvendosje pas kërkesave te LDK – së dhe NISMA- s

Koalicioni NISMA-AKR që drejtohet nga Fatmir Limaj ka kërkuar rinumërim të votave duke qenë se për një numër të vogël votash nuk po arrin të kalojë pragun prej 5 për qind. Deri tani ky koalicion ka marrë 39 mijë 173 vota apo 4,93%.

Rinumërim të votave në nivel vendi ka kërkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke qenë se pas numërimit të mbi 99 për qind të votave ka marrë vetëm 197 mijë e 53 vota apo 24,82%.

NISMA kërkon kalimin e pragut, ndërsa LDK – ja ende shpreson në përmbysje e fitore duke qenë se diferenca në vota me vendin e parë( VV – në) është shumë e vogël

Ndaj këtyre kërkesave për rinumërim ka reaguar zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila thotë se rinumërim po kërkojnë subjektet të cilat nuk kanë marrë mbështetje nga qytetarët, dhe po kërkojnë që të gjejnë shpëtim.

Haxhiu thotë se përkrahësit e Vetëvendosjes nuk duhet të shqetësohen pasi në qendrat e numërimit kanë personat përgjegjës që do të ruajnë vullnetin e qytetarëve.

“Që nga mëngjesi, kam pasur shumë mesazhe dhe telefonata nga qytetarë, miq e familjarë. Janë të shqetësuar lidhur me ndonjë tendencë për manipulim votash pas kërkesës për rinumërim. Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumërimi. Qytetarët kanë folur me 6 tetor. Vullneti i tyre do të jetësohet”, ka shkruar Haxhiu në profilin e saj zyrtar, transmeton Kosova.info.