Bota

Ja çfarë qendre hapësinore po krijohet nga NATO në Gjermani

Në takimin e tyre virtual, ministrat e mbrojtjes së NATO-s ranë dakord të krijonin një qendër hapësinore në Ramstein, Gjermani, ku ndodhet Komanda e Forcave Ajrore të NATO-s.

“NATO do të krijojë një qendër hapësinore në Gjermani që do të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e satelitëve të vendeve aleate nga sulmet e armikut”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, raporton rel.

Ideja e krijimit të një qendre të tillë u nis në një samit të vendeve anëtare në dhjetor të vitit 2019 në Londër.

“Satelitët e vendeve anëtare të Aleancës janë shumë të ndjeshëm dhe përfaqësojnë objektiva të mundshëm të sulmit. Kina dhe Rusia kanë zhvilluar kapacitete që mund të çaktivizojnë dhe shkatërrojnë satelitët, të cilat do të kishin pasoja të rënda për komunikimin midis vendeve anëtare”, tha sekretari i përgjithshëm.

Qendra Ramstein do të ketë për detyrë të ndajë informacion në lidhje me kërcënimet ndaj satelitëve dhe të koordinojë aktivitetet e atyre satelitëve. Në fund të vitit të kaluar, NATO shpalli hapësirën zonën e pestë operacionale, pas ajrit, tokës, detit dhe hapësirës kibernetike.