Kosova

Ivaniq: E pamundur që Serbia ta ketë edhe RS edhe Kosovën

Anëtari i Kryesisë së BeH, Mlladen Ivaniq, vlerësoi se nuk duhet ndërlidhur çështjen e Kosovës me RS të BeH-së, sepse Serbia duhet hequr dorë nga njëra prej tyre, duke shtuar se nëse Kosova është Serbi, atëherë nuk mund të jetë edhe RS serbe.

Ai për mediet serbe ka deklaruar se është i vetëdijshëm se shumica e popullatës janë për pavarësinë e RS, por që duhet shikuar se çka është reale dhe çka sjellë rrezik.

“Nuk kemi miq të fortë që dëshirën për pavarësi ta zbatojmë në vepër. Kush do të na mbështeste? Serbia do RS, por që udhëheqja e Serbisë qartë ka deklaruar se respekton integritetin territorial të BeH-së, ndërkohë që edhe Rusia ka deklaruar se respekton marrëveshjen e Deyton-it. Ndërkaq sa i përket Kosovës, besoj se Serbia do të ketë sukses ta dëshmojë se çështja e Kosovës mund të zgjidhet përfundimisht vetëm nëse nga ky proces mund të dalë me fytyrë të pastër”, deklaroi Ivaniq.

I pyetur se a mendon për marrëdhëniet e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj RS dhe Kosovës, ai u përgjigj se “sa kohë kanë pasur shqiptarët autonominë dhe shtoi se serbët kanë RS më shumë se 20 vjet”.

“Këtu fshihen marrëveshjet për ngjarjet e mundshme në të ardhmen. Nëse diçka sot nuk është realitet, nuk do të thotë se kështu do të mbetet edhe në të ardhmen”, deklaroi Ivaniq, duke shtuar se boshnjakët duhet ta dinë se “serbët në BeH duhet ta ndiejnë veten komod se këtu shohin interesin e tyre”.