Haradinaj pas deklaratave të Ferajt: Kurti të tregojë pse u intervistua dhe amnistua nga regjimi

Daut Haradinaj, vëllau i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar së fundmi për deklaratat e këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, Hysamedin Feraj, i cili ka nxitur reagime të shumta përmes një postimi ku ka pyetur pse në luftë janë vrarë vëllezërit e Ramush Haradinajt, ndërsa ai ka mbetur gjallë.
Daut Haradinaj në anën tjetër ka deklaruar se nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e Ferajt, andaj edhe nuk i komenton.

Sipas tij, Kurti duhet të tregojë pse vetëm atij i është organizuar konferencë për shtyp gjatë qëndrimit në burg.

“Nuk më bëjnë përshtypje e as që i komentoj. Pyetja i ishte drejtuar kryeministrit se pse ishte i përzgjedhuri nga kryeministri i atëhershëm serb për t’u deklaruar në konferencë për shtyp e më vonë edhe u amnistua nga po ai regjim”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, ai ka thënë se nëse Kurti nuk ka arsye t’i shmanget të kaluarës, atëherë duhet të përgjigjet në këtë pyetje.

“Të tregojë ai vet pse nuk u përzgjodh Ukshin Hoti apo Nait Hasani. Pyetja nuk i është drejtuar askujt përpos atij. Nuk i komentoj dhe as nuk më bëjnë përshtypje deklaratat e ndonjë personi të tretë”, ka deklaruar Daut Haradinaj.

Go to TOP