Bota

Italia me gati 40% vdekje më shumë në fillim të vitit 2020

Numri i vdekjeve në Itali është rritur për gati 40 për qind këtë vit, kryesisht për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Agjencia kombëtare e statistikave Istat tha se nga 20 shkurti deri më 31 mars kanë vdekur mbi 90,000 njerëz, që do të thotë 38.7 për qind më shumë se mesatarja e regjistruar gjatë periudhave të njëjta nga viti 2015 deri më 2019.

Istat vuri në dukje se më shumë se 90 për qind e vdekjeve të shtuara janë regjistruar në provincat me shkallë të lartë të infeksionit me koronavirus, kryesisht në veri të Italisë.

Vetëm në muajin mars, numri i vdekjeve krahasuar me periudhën 2015-2019 është rritur për 568 për qind në provincën Bergamo, 391 për qind në provincën Kremona dhe 370 për qind në provincën Lodi.

Studimi i Istat-it, i kryer në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit, bazohet në të dhënat e 6,866 bashkive italiane, apo rreth 87 për qind të totalit.

Pas Shteteve të Bashkuara, Italia ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi: mbi 28,800.

Italia është po ashtu e treta me numër të të infektuarve – pas ShBA-së dhe Spanjës – me mbi 210,000 të prekur.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.