Kuriozitet

Itali/ Një qytezë në mes të të infektuarve, nuk e ka asnjë të prekur me COVID-19

Ferrera Erbognone është një vend i vogël në Lombardi të Italisë. Atje jetojnë rreth 1.200 persona, shumica prej të  cilëve janë të moshës mbi 60-vjeç. Për këtë vend po shkruan pothuajse çdo media në Itali.

Edhe pse gjendet në epiqendrën e përhapjes së coronavirusit në veri të Italisë, atje nuk është regjistruar as edhe një person që është prekur nga COVID-19, transmeton Telegrafi.

Instituti i Neurologjisë Mondino në komunën Pavia, ka vendosur që paksa të hulumtojë rastin e Ferreras, kurse e gjithë kjo po arrihet me ndihmën e kryetarit të këtij vendi, Giovanni Fassina, i cili me profesion është profesor i shkencave të mjekësisë ligjore.

Ata duan t’ua bëjnë testin e gjakut qytetarëve të kësaj qyteze, për të përcaktuar nëse shumica e tyre janë imun ndaj coronavirusit i njohur ndryshe si COVID-19, shkruan La Stampa.

“Kemi përzgjedhur Ferreran pasi është një komunitet që deri më tani nuk ka regjistruar as edhe një rast me coronavirus”, ka thënë profesori Livio Pietro Tronconi, njëherit drejtor i përgjithshëm i Institutit.

Ky Institut do të testojë praninë e antitrupave te qytetarët e kësaj qyteze, e tashmë një numër i tyre janë lajmëruar për ta bërë një gjë të tillë.

Mirëpo kryetari Fassina nuk beson se fakti që asnjë rast me coronavirus nuk është regjistruar në këtë vend ka të bëjë me gjenetikën, pasi pretendon se banorët e këtij vendi janë të njëjtë sikurse gjithë të tjerët.

“Jam i bindur që shumë njerëz kanë pasur kontakt me virusin dhe infeksioni është zhvilluar në formë asimptomatike. Ne vetëm do të mund të përcaktonim përqindjen e popullatës që është imune”, ka shtuar Fassina.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.