Kosova

Isufaj e Munishi – “favoritë” për të udhëhequr me dy prokuroritë më të rëndësishme

Komisioni për intervistimin e kandidatëve për kryeprokuror special dhe kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ka përfunduar punën e vet. Nga dhjetë kandidatë që kanë konkurruar për këto dy pozita, katër nga ta do të dalin në votim në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Siç ka mësuar gazeta, kandidatët e përzgjedhur për t’u votuar për kryeprokuror special janë prokurorët specialë Blerim Isufaj e Haki Geci. Janë eliminuar prokurorët Atdhe Dema, ushtruesi i detyrës se kryeprokurorit special, Afrim Shefkiu e prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Lista e ngushtë e kandidatëve për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, siç ka mësuar gazeta, përbëhet nga emrat e ushtruesit të detyrës së kësaj pozite, Kujtim Munishi, e prokurores Fitore Sadikaj.

Në garë për këtë pozitë kanë qenë edhe prokurorët Fatmir Behrami e Valdet Gashi. Ka konkurruar edhe prokurori, Ibrahim Berisha, por është eliminuar për shkak që sipas Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk i ka plotësuar kushtet.

Në KPK nuk i kanë konfirmuar këto të dhëna.