Kosova

Ismaili: Sëmundjet e rralla janë përfshirë në Listën e Barnave Esenciale

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka treguar se tashmë ka përfunduar e gjithë puna për Revidimin e Listës së Barnave Esenciale.

Ministri Ismaili ka treguar se lista komplementare do të pasurohet me një numër më të madh të barnave për sëmundjet e rralla që përbëjnë një barrë të madhe financiare për pacientët.

“Komiteti Teknik për revidimin e Listës së Barnave Esenciale ka përfshirë në listên e saj komplementare edhe barnat për sëmundjet e rralla në mënyrë që në të ardhmen numri i pacientëve që mbulohen me terapi nga MSh të rritet”, ka thënë ai.

Lista e Barnave Esenciale të cilën e sigurojnë Institucionet Publike për qytetarët ka qenë e pareviduar nga viti 2012.

Duke e kuptuar peshën e sëmundjes për pacientin, familjen, rrethin dhe sistemin shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë në vitin 2018 ka ngritur Grupin e punës për hartimin e Koncept Dokumentit për Sëmundjet e rralla, duke synuar gjetjen e rrugës më të mirë dhe më pragmatike për të adresuar nevojat e këtij grupi të ndjeshëm të popullatës.

Koncept Dokumenti është hartuar dhe ka dalë në debat publik dhe brenda pak ditësh do të dërgohet në Qeveri për miratim.

Pas aprovimit të Koncept Dokumentit nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë menjëherë me Grupin e punës për hartimin e Planit të veprimit për institucionalizimin e përkujdesjes shëndetësore të pacientëve me sëmundje të rralla.