Bota

Islami është në krizë, por Franca po e vështirëson zgjidhjen

“Islami është një religjion që është në krizë në mbarë botën sot”. Kjo është çfarë deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron, më 2 tetor, njëherësh duke bërë të ditur “planin anti-radikalizëm”.

Dhe vetëm dy javë më vonë, më 16 tetor, një njeri i lidhur ngushtë me radikalizmin vrau dhe ia preu kokën mësimdhënësit Samuel Paty, në periferi të Parisit, vetëm pse ua kishte treguar nxënësve karikaturat kundërthënëse të profetit Muhamed. Dhe disa ditë më vonë, tre besimtarë në një kishë në Nice u masakruan prej një tjetër terroristi, i cili duket se kishte motiv të njëjtë: të ndëshkonte kundër blasfemisë ndaj profetit të islamit. Në këmbim, autoritetet franceze nisën një fushatë kundër gjithçkaje që vlerësohej se ishte islamizëm, dhe gjithashtu projektuan karikaturat kundërthënëse të profetit Muhamed në ndërtesat e zyrave qeveritare në Francë – duke bërë protesta masive në shumë pjesë të botës myslimane, ka vlerësuar Mustafa Akyol, hulumtues në Institutin Cato, në një analizë të gjatë për revistën politike, “Foreign Policy”.

Studiuesi i përqendruar në islamin dhe modernitetin vlerëson se Macroni jo vetëm që nuk po e ndihmon islamin në krizë, por po nxit acarin në mesin e atyre që zotohet se do t’i mposhtë.

“Myslimanët, viktimat reale të terrorizmit”

Krejt këto zhvillime kanë nisur debatin për Francën, islamin dhe lirinë. “Shumëkush në Perëndim e sheh tani Francën si shtyllë të vlerave të iluminizmit kundër forcave të errëta të fanatizmit fetar. Të tjerët pretendojnë se problemi kryesor është islamofobia, racizmi dhe arroganca koloniale e Francës në një botë ku – hiq një grusht ekstremistësh – myslimanët janë viktimat reale”, shkruan Akyol, autor i librit që do të votohet së shpejti, “Reopening Muslim Minds: A Return to Reason, Freedom, and Tolerance”.

Akyol thotë se si një mysliman që ka shkruar goxha shumë për këto çështje për dy dekada me radhë, dëshiron të ofrojë vrojtimin e tij: Së pari, Franca – si çdo cak tjetër i terrorizmit – meriton solidarizim kundrejt këtij kërcënimi. “Për më tepër, Macroni ka goxha shumë të drejtë kur thotë se islami po përballet me një ‘krizë’ – ‘jo krejt bota’, por në disa pjesë të botës – dhe ne myslimanët duhet të zhvillojmë një diskutim të sinqertë për krizën”, shkruan ai. “Fatkeqësisht, Macroni po bën pak për ta zgjidhur këtë krizë dhe do të mund ta përflakte, sepse lloji i lirisë që e pretendon se po e mbron është përplot me shkurtime dhe standarde të dyfishta cinike”.

Kërkesa për Macronin

Shumë myslimanë do të mund të merrnin si të papranueshëm çfarëdo diskutimi se islami po përballet me krizë, nëse jo edhe heretike, sepse mendojnë se islami është fe hyjnore, e përsosur dhe e vërtetë e përjetshme, shkruan Akyol.

“Megjithatë, dikush që beson në thelbin hyjnor të islamit, sikur unë, njëherësh do të jetë kritik ndaj shumë mënyrave të interpretimit njerëzor të tij. Është ky lloj interpretimi njerëzor që na ofroi pjesën më të madhe të ‘fikut’ islamik – ose jurisprudencës, që ka disa verdikte të ashpra që nuk përkojnë me thirrjet e botës moderne për liri dhe të drejta të njeriut – nocione që pretendojnë se njerëzit duhet të jenë të lirë ose të mos besojnë në një religjion, dhe të lirë besojnë ose të kritikojnë”.

Akyol vlerëson se nëse Macroni dëshiron që njëmend ta ndihmojë islamin në kohë krize, në vend se ta përkeqësojë krizën e tij, çfarë duhet të bëjë është të ngrejë standardet franceze të lirisë së shprehjes dhe fesë, me qëllim që më shumë myslimanë të mund të përfitojnë prej njohjes së këtyre vlerave themelore, duke iu dhënë atyre mundësi të bëjnë një ndryshim të madh nga vlerësimet e vjetruara të islamit.

Epërsia e standardeve amerikane

Ka një vend në të cilin ky eksperiment tashmë po zhvillohet – dhe rezultatet nuk janë të këqija, thekson Akyol në analizën e gjatë, me interpretime të ndryshme filozofike e politike të njërës prej feve më të mëdha të botës.

Dhe ky vend padyshim se janë Shtetet e Bashkuara, ku çmohet më shumë liria fetare, duke iu referuar pikërisht vlerave të iluminizmit, duke vënë në pah vlerat liberale anglo-saksone. “Jam i vetëdijshëm se kriza politike aktuale e Shteteve të Bashkuara mund ta vështirësojë këtë pretendim, por prej një perspektive më të gjerë, është një histori suksesi: Është një vend me nivelet më të larta të lirisë së shprehjes dhe fesë se ato të Francës – dhe me pakicën myslimane larg më mirë të integruar, që përherë e më shumë çmon vlerat liberale”, shkruan Akyol.

Modeli i integrimit

Ky fenomen, shkruan ai, është vënë në pah edhe nga vetë institutet amerikane dhe myslimane të hulumtimeve. Aty spikatet se kjo ndodh për një mori arsyesh të ndërlikuara, si fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë përvojë të historisë koloniale në botën myslimane, dhe më shumë popullsi emigrante të shtresës së mesme.

“Por edhe myslimanët afro-amerikanë të SHBA-së, të cilët kanë vuajtur racizëm, mund të ndihen krenueshëm amerikanë. Sekreti për këtë sukses është liria, që ua lejon myslimanëve të jetojnë në Amerikë pa hequr dorë prej devotshmërisë personale dhe identitetit komunitar, duke qenë të dukshme kudo – përfshirë edhe në Kongres – me simbolet e tyre fetare, dhe duke e kuptuar se liria e shprehjes funksionon për ta gjithashtu – pos lirisë ekonomike, që ua mundëson të konkurrojnë dhe lulëzojnë në shoqëri”, shkruan ai.

“Me fjalë të tjera, autoritetet amerikane nuk po e nxjerrin policinë shekullare në plazhe amerikane për t’u siguruar se gratë myslimane të zhvishen mjaftueshëm me qëllim që të krijojnë ‘islamin amerikan’”, shkruan ai. “Ky i fundit ngrihet thjesht natyrshëm. Sepse kur njerëzit e shohin lirinë, dhe e kuptojnë se ajo përnjëmend është për të gjithë, priren ta çmojnë. Dhe kur ata ndiejnë se ajo liri është vetëm për ata që e shikojnë, e jetojnë dhe e mendojnë në një mënyrë të caktuar, tërhiqen në istikamet e tyre kulturore”.

Analizë e “Foreign Policy Magazine”