Bota

Ishte Kina ajo që nuk deshi ta informonte OBSh-në në lidhje me Covid-19

Chinese President Xi Jinping in Wuhan

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ia kishte dalë të siguronte të dhënat e nevojshme nga Kina gjatë ditëve të para kritike të pandemisë së virusit korona, mësohet nga të dhënat e brendshme që vënë në kundërthënie lavdërimin publik të organizatës për mënyrën e menaxhimit të krizës nga shteti komunist.

Të dhënat që i ka siguruar Agjencia amerikane e lajmeve AP tregojnë se zyrtarët ishin ankuar në takimet e javës së parë të janarit se Pekini nuk po ndante të dhënat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut të virusit. Kina nuk e kishte njoftuar pjesën tjetër të botës për zhvillimet e atëhershme. Dhe deri më 20 janar nuk kishte konfirmuar se koronavirusi po përhapej me të madhe dhe se vetëm më 30 janar OBSH-ja e kishte shpallur emergjencën globale.

“Po flasim për informacione shumë minimale”, ka thënë Maria Van Kerkhove, epidemiologe dhe lidere e aspekteve teknike të COVID-19 në OBSH. “Dhe natyrisht se kjo nuk është e mjaftueshme për të bërë planifikimet e duhura”, kishte thënë ajo, pretendon AP-ja.

Zyrtari më i lartë i OBSH-së për Kinën, Gauden Galea, ka deklaruar në njërin prej atyre takimeve: “Ne jemi në atë fazën ku po na japin informacione pesëmbëdhjetë minuta para se t’i japin në televizionin publik kinez”.

Raporti është publikuar në kulmin e përplasjes ndërkombëtare në ngritje për mënyrën e reagimit të Kinës pas shfaqjes së rasteve të para dhe lëvizjeve për të krijuar një mekanizëm ndërkombëtar hetimi për prejardhjen e virusit, që ka infektuar më shumë se gjashtë milionë banorë dhe ka marrë jetën e më shumë se 375 mijë personave në shtete të ndryshme të botës.

OBSH-ja është kritikuar për mbështetje të zëshme ndaj Kinës edhe pas ngritjes së dyshimeve serioze se Pekini zyrtar i kishte anashkaluar paralajmërimet dhe se nuk kishte ndarë informacione me shtetet e tjera. Shefi i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka lavdëruar Kinën për “vënien e një standardi të ri për reagimin ndaj përhapjes” së pandemisë.

Zyra e OBSh-së në Kinë nuk i është përgjigjur kërkesës për koment lidhur me incizimet që i ka siguruar AP-ja. Megjithatë, Kina ka ngulmuar se kishte bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat dhe institucionet ndërkombëtare për të pasur një pasqyrë të qartë të gjendjes së shkaktuar nga virusi korona me t’u shfaqur në provincën e Wuhanit. Guardian