Kosova

Ish-ministri i NISMA-s zyrtarisht kalon në AAK

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Bashkë me Hasanin, në AAK kanë kaluar edhe asamblistja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, profesoresha Anila Tusha-Kastrati, Abdyl Brestovci, ekonomist dhe Burhan Arifi, stomatolog.

“Interesimi për t’iu bashkuar vizionit të AAK-së për shtetin e fortë, është i jashtëzakonshëm dhe kjo na inkurajon që të punojmë pandalshëm në shërbim të vendit. Të sapoaderuarit, profesionistë të respektuar, i falënderova për besimin duke iu uruar që përvojën politike ta shfrytëzojnë më së miri në familjen e madhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në të mirë të qytetarëve të Gjilanit, Anamoravës dhe tërë Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.